Lojë ‘pingpongu’ e institucioneve me Luginën e Preshevës

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë, Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, nuk e fshein zhgënjimin e tyre me liderët politikë në Kosovë për faktin se nuk po arrijnë që të kenë një strategji të qartë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve që jetojnë në komunat jugore të Serbisë. Këto tri komuna, njihen edhe me një term politik dhe rajonal si Luginë e Preshevës.

Ata thonë se zyrtarët në institucionet e Kosovës, duhet të reflektojnë pozitivisht për zgjidhjen e problemeve në Luginë, duke synuar që çështja e këtyre komunave të përfshihet edhe në agjendën e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa Lirë, se është për keqardhje që institucionet e Kosovës, ende nuk kanë një strategji për të ju qasur çështjes së Luginës së Preshevës.

“Për ne është e rëndësishme qasja e Qeverisë, qasja e institucioneve të Kosovës, e Kuvendi të Kosovës që është institucioni më i lartë dhe do të duhej që të propozonte edhe masa konkrete dhe një strategji se si do t’i qasje kësaj çështje”, tha Mustafa.LEXONI EDHE KËTË:Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës presin të jenë pjesë e dialogut

Ai nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat e shumta të zyrtarëve të institucioneve udhëheqëse të Kosovës, të cilat nga këndvështrimi analitik në Prishtinë, më shumë shihen vetëm për konsum të brendshme politik.

Mustafa tha se liderët e Luginës, nuk janë përzier asnjëherë në qëndrimet e drejtuesve të partive politike të Kosovës lidhur me deklaratat që janë bërë për gjendjen në Luginën e Preshevës.

“Për ne është me rëndësi në thelb një qasje strategjike, një platformë sistematike me të cilën do të kishte një plan veprimi konkret për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Krejt pjesa tjetër, se çka mund të ndodh në Kuvendin e Kosovës, nuk besoj se mund të ketë efekt”, tha Mustafa.

Ai tha se kërkesë e vazhdueshme e politikaneve të Luginës është të punohet që çështja e Luginës së Preshevës të jetë në agjendën e bisedimeve politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Institucionet e Kosovës, Presidenca, Parlamenti dhe Qeveria të marrin obligim që të shqyrtohet çështja e Luginës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi dhe të gjendet një zgjidhje konform dokumenteve që kanë nxjerr shqiptarët e Luginës, e që në thelb është referendumi i 22 marsit, 1992”, tha Mustafa.

Referendumi i 22 marsit,1992, i mbajtur në tri komunat jugore të Serbisë, pati rezultuar me shprehjen e vullnetit të shqiptarëve të atjeshëm për bashkim me Kosovën, por ai referendum nuk ishte njohur asnjëherë nga autoritetet qeverisëse të Beogradit.

Situata në Luginën e Preshevës dhe kërkesat e popullatës së atjeshme janë aktualizuar në momentin kur Bashkimi Evropian kishte paralajmëruar nisjen e fazës finale të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përmes së cilës është thënë se synohet të zgjidhen të gjitha mosmarrëveshjet dhe konfliktet ndërmjet dy vendeve, si kusht për ecjen e tyre drejt procesit integrues në BE.

Me kërkesën e liderëve të Luginës së Preshevës, të hënën, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar për gjendjen në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, por nuk ka arritur të nxjerr asnjë konkluzion.

Nga ana tjetër, analistët politikë, konsiderojnë se në aspektin politik deri në fund të procesit të dialogut me Serbinë, çështja e Luginës së Preshevës mund të jetë përfitim për Kosovën, por edhe barrë.

Kurse, në aspektin human, ata thonë se është e pakuptueshme se si Shqipëria dhe Kosova, kanë lejuar që çështja e Luginës të shndërrohet në një dështim të madh politik.LEXONI EDHE KËTË:Thaçi: Me marrëveshjen finale, Lugina e Preshevës dhe veriu në kufijtë e Kosovës

Naim Rashiti, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës duhet të mendojnë për plan konkret, për investime e zhvillim në arsim e fusha të tjera për shqiptarët e Luginës. Sipas tij, politika duhet të krijojë kushte që Kosova të ketë qasje në Luginë. Rashiti nënvizoi po ashtu se shqiptarët e Luginës “ka kohës që nuk besojnë më te politikanët”.

“Ka kohë që nuk besojnë sepse nuk kanë ndonjë arsyeje për të besuar, por duhet të kalohet përtej besimit ose të kthejnë besimin, të ndryshojë qasja dhe realiteti. Por, nuk është më çështja e besimit, ka kohë qe nuk besohet as në institucionet e Serbisë, as kurrë nuk u kanë besuar as Qeverisë në Tiranë e as Qeverisë së Kosovës. Qytetarët atje kanë mbetur dhe vazhdojnë të provojnë të mbijetojnë me forcat e veta”, tha Rashiti.

Ai thekson se çështja e Luginës së Preshevës, duhet të kalojë përmes Kosovës, pasi që shumë njerëz kanë kontribuar në aspekte të ndryshme në Kosovë.

“Lugina nuk zgjidhet përmes Shqipërisë, sepse jeta e përditshme dhe gjithçka që e lidh Luginën ka të bëjë me Kosovën, jo me Shqipërinë. Shqipëria është një vend shtet amë (për shqiptarët e Luginës së Preshevës), por gjithçka lidhet me Kosovën”, tha Rashiti.

Ndryshe, jo vetëm Kuvendi, por edhe presidenti Kosovës Hashim Thaçi ka ndërmarrë një nismë për të trajtuar çështjet që ndërlidhen me komunat, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Së fundmi, Thaçi ka dërguar në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe miratim një draft-rezolutë, për siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve të asaj ane dhe plotësimin e kërkesave të tyre historike.

Thaçi u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të mos i injorojnë kërkesat, siç ka thënë ai, legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Ai ka thënë se institucionet e Kosovës e kanë obligim që t’i mbështesim shqiptarët e Luginës së Preshevës në realizimin e kërkesave të tyre.

Qasja e presidentit, megjithatë, nga pjesa më e madhe e spektrit opozitar kryesisht po shihet më shumë si vazhdimësi e idesë së tij që në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të hapet edhe çështja e ndryshimit të kufirit.

Burimi: https://www.evropaelire.org/a/lugina-e-presheves-institucionet-e-kosoves-/30034598.html



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

🇽🇰 #Kosovo made a significant step toward joining the Council of Europe (CoE). It is now up to the CoE to acknowledge Kosovo's readiness for membership.
For more insight on Kosovo's CoE accession process, see Balkans Group policy report. ⤵️

Load More