Në prag të Samitit të Berlinit: Avancimi i Përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe Përmirësimi i Bashkëpunimit Rajonal

Në përvjetorin e dhjetë të Procesit të Berlinit, Qeveria gjermane synon të lansojë Tregun e Përbashkët Rajonal (TPR) Dy. TPR – një iniciativë e vendeve të Ballkanit Perëndimor (BP) – është strukturuar mbi katër liri: lëvizja e lirë e mallrave, kapitalit, shërbimeve dhe njerëzve. Mbi këtë strukturë, TPR II përqëndrohet në zhvillimin e kapitalit njerëzor dhe zhvillimin e aftësive, nxitjen e transformimit digjital, krijimin e një ambienti të favorshëm për biznes dhe rritjen e konkurrencës. Synimi kryesor është të integrojë rajonin me Tregun e Përbashkët të BE-së dhe të përshpejtojë rrugën e vendeve të Ballkanit drejt anëtarësimit.

Iniciativat në rritje në kuadër të Procesit të Berlinit dhe TPR II synojnë zgjerimin e mandatit dhe detyrave për CEFTA, që përfshinë shtatë vendet e Evropës Juglindore (gjashtë të Ballkanit Perëndimor – BP6 dhe Moldavia).Reformat e propozuara synojnë të përmirësojnë tregtinë midis anëtarëve të CEFTA-s dhe me BE-në. Propozimi i draftit gjithashtu) synon të rishikojë përfaqësimin e Kosovës në CEFTA. Në vitin 2006, UNMIK-u iu bashkua CEFTA-s, në emër të Kosovës dhe mbetet një anëtar nënshkrues. Kosova në vazhdimësi ka kërkuar heqjen e rolit të UNMIK-ut nga traktati. Me kalimin e kohës, institucionet e Kosovës kanë fituar më shumë rol, por nuk janë bërë ndryshimet e duhura ligjore për transferimin e plotë të përfaqësimit.  

Si një shtet i pavarur, Kosova meriton një përfaqësim të plotë në CEFTA. Marrëveshja për përfaqësimin rajonal me Serbinë (2013), Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim (MSA) me BE-në (2016), dhe marrëveshjet e fundit për “Rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë” të arritura në Bruksel dhe Ohër në vitin 2023, nuk lënë vend për interpretim tjetër. Megjithëse ndryshimet në traktat do të marrin kohë, BE-ja dhe partnerët e saj duhet të insistojnë dhe të lehtësojnë procesin për të siguruar përfaqësimin e plotë dhe të pakontestuar të Kosovës. Njëkohësisht, Kosova, duhet të negociojë në mënyrë proaktive për këtë qëllim, tashmë të vonuar. Shoqëria civile do ta mbështesë Qeverinë në këto përpjekje.

Si një hap të menjëhershëm dhe i ndermjetëm, Qeveria gjermane duhet të udhëheqë procesin, dhe anëtarët e CEFTA-s duhet të ndryshojnë menjëherë – e Kosova t’i pranojë këto ndryshime – të gjitha protokollet, rregullat e procedurës dhe vendimet për të njohur plotësisht autoritetin e Kosovës dhe për të hequr tërësisht UNMIK-un nga çdo rol, përfshirë pjesëmarrjen, përfaqësimin, komunikimin, dhe vendimmarrjen. Po ashtu, Qeveria gjermane dhe BE-ja duhet të jenë shumë më kërkuese për ratifikimin e marrëveshjeve të mëparshme, duke përfshirë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe pranimin e diplomave. Dështimi për të zbatuar marrëveshjet e mëparshme nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor minon besimin e qeverive dhe qytetarëve për agjendat e bashkëpunimit rajonal.

CEFTA dhe iniciativat e bashkëpunimit rajonal gjithashtu mbartin detyrime të mëdha. Përveç sigurimit të përfaqësimit të plotë, Qeveria e Kosovës duhet të negociojë menjëherë dhe në mirëbesim të gjitha protokollet dhe aranzhimet që do të mundësojnë lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve brenda BP6. Marrëdhëniet ekzistuese dhe barrierat tregtare dëmtojnë reputacionin ndërkombëtar të Kosovës si një zonë tregu të lirë, dhe adresimi i këtyre çështjeve do të forcojë pozitën e Kosovës në iniciativat rajonale. Përmirësimi i bashkëpunimit rajonal, nxitja e tregtisë të bazuar në rregulla dhe përfaqësimi i barabartë është thelbësor për arritjen e objektivave të Samitit të Berlinit. Këta hapa do të ndihmojnë gjithashtu në zvogëlimin e ndikimit të iniciativave të dëmshme dhe paralele që mund të përjashtojnë ose dëmtojnë Kosovën.

Qeveria e Kosovës duhet të intensifikojë përpjekjet e saj në CEFTA, të mobilizojë të gjitha burimet për sigurim të hapësirës së veprimit, dhe të përdorë çdo mjet të disponueshëm për të luftuar politizimin dhe barrierat tregtare të imponuara nga Serbia dhe vende të tjera. Rihapja e tregjeve dhe përmirësimi i tregtisë me fqinjët dhe BE-në, do të ndihmojnë Kosovën të fitojë pozitën e saj si një partner i besueshëm në rajon. Heqja e ndalimit të mallrave serbe do të ulë tensionet në veri të Kosovës dhe do të ndihmojë në përmirësimin e marrëdhënieve me komunitetin serb. Ndërkohë, ndalesat aktuale janë duke e dëmtuar gjithashtu tregtinë me vendet e BE-së. Ndërsa Gjermania dhe të tjerët do të mbështesin Kosovën me skanera të sofistikuar për të monitoruar mallrat që vijnë nga Serbia, të njëjtit  gjithashtu duhet të sigurojnë që Serbia të lejojë tregti të lirë dhe lëvizje të papenguar të mallrave nga Kosova.

Me agjendat në zhvillim- shpesh konkurruese dhe plotësuese ndërmjet vete- si Marrëveshja e Gjelbër dhe Plani i Rritjes, Kosova duhet të konsolidojë fort pozitën e saj në iniciativat rajonale të BE-së dhe të absorbojë plotësisht fondet dhe programet. Miratimi i protokolleve të nevojshme në Samitin e Berlinit si dhe ndryshimi i protokolleve të CEFTA-s mbeten thelbësore për të mundësuar përfaqësimin e plotë të Kosovës dhe për të zhvilluar tregti të lirë me anëtarët e saj dhe BE-në. Këto ndryshime gjithashtu do të hapin rrugën për anëtarësimin e Kosovës në Zonën e Pagesave në Euro, me ç’rast do të përfitonin bizneset, do të përmirësoheshin transaksionet financiare me rajonin dhe BE-në, dhe do të lehtësohej transferimi i remitencave nga diaspora.

Gjithashtu, është për keqardhje që Kosova ashtu edhe Qeveria gjermane kanë dështuar të angazhohen në konsultime, dialog transparent dhe gjithëpërfshirës në lidhje me agjendat e Samitit të ardhshëm të Berlinit. Të dy palët duhet të rrisin menjëherë transparencën dhe të përfshijnë të gjitha palët e interesit, institucionet, përfaqësuesit politikë, shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit.

Qeveria e Kosovës, me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, grupeve të interesit dhe shoqërisë civile, duhet të veprojë me urgjencë për të siguruar vendin e saj të merituar dhe për të shfrytëzuar plotësisht mundësitë që këto iniciativa ofrojnë, duke luftuar për përfaqësim të plotë dhe barabartë.

Pozicionet e shprehura në këtë letër janë vetëm të Grupit për Ballkan dhe nuk reflektojnë qëndrimin e donatorëve.

PDF-doc-256



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

The Berlin Process: Ahead of the summit, the @BalkansGroup, in cooperation with the @sudosteuropa and @AspenGermany, hosted an advocacy roundtable with SHERPAs, representatives of the WB governments, and civil society. 🇩🇪 and 🇳🇴 Envoys for WB contributed to the event.

Load More