18 Mars 2019 – Fjalimi i Naim Rashitit (i redaktuar) drejtuar deputetëve të Parlamentit Evropian (Komisioneve AFET dhe LIBE) mbi “Përtej pranimit: Pakthyeshmëriae sundimit të ligjit”
Dhjetë sfida për pakthyeshmërinë e sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor
1. Aderimi dhe integrimi në BE përbëjnë bazën kryesore për reforma në Ballkanin Perëndimor
Reformat në sundimin e ligjit nuk kanë gjasa të ndodhin në Ballkanin Perëndimor jashtë kornizës së aderimit dhe perspektivës në BE. Udhëheqësit e BB-së kanë mësuar si t’i lidhin ngushtë të gjitha agjendat e brendshme dhe rajonale me integrimin në BE. Qytetarët kanë ardhur në të njëjtat përfundime. Maqedonia së shpejti do ta provojë këtë hipotezë.
2. Ka një hendek në rritje e sipër mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor për ta kuptuar dhe shprehur kuptimin e reformave. Disa vjet më parë, kishte një marrëveshje mes BE-së dhe BB-së lidhur me atë se çka sjellin reformat. Tani, dallimet janë shumë më të mëdha. BE-ja dhe vendet e Ballkanit Perëndimor tani i interpretojnë ndryshe reformat, kuptimin, vlerësimin, zbatimin dhe ndikimin e tyre. Kjo është çështje e shqetësimit serioz; këto dallime i shohim në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri.
Në disa raste, zbatimi i reformave vetëm në letër e përkeqëson situatën. Udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor kanë mësuar si ta mashtrojnë BE-në. Nganjëherë zyrtarët e BE-së e dinë se po mashtrohen dhe se po u nënshtrohen disa agjendave të vështira politike (që kanë të bëjnë me stabilitetin, faktorët e jashtëm, dialogun Kosovë-Serbi etj.) që vazhdojnë t’i zhvendosin prioritetet.
3. Ky është realiteti i Ballkanit Perëndimor. Të dyja, zgjidhja e konflikteve politike e të ndjeshme/mosmarrëveshjeve bilaterale dhe agjendat për reforma duhet të përparojnë paralelisht. Disa vende mund ta bëjnë këtë, disa nuk duan ta bëjnë këtë dhe vendet e tjera nuk mund t’i bëjnë ato paralelisht. Megjithatë, ritmi i përparimit në të dy agjendat ka qenë shumë i ngadalshëm dhe ka gjasa të vazhdojë ngadalë edhe në të ardhmen. Në përgjithësi, udhëheqësit kryesorë të Ballkanit Perëndimor kanë dështuar dhe do të dështojnë t’ua dorëzojnë ato BE-së dhe qytetarëve të tyre.
Maqedonia tregoi se mund t’i bënte të dyja. Ky është shembulli më i mirë që mund të merrni nga Ballkani Perëndimor; nuk ka model më të mirë.
Serbia nuk dëshiron t’i bëjë të dyja. Udhëheqja përdor agjendën politike për t’i minuar reformat dhe sundimin e ligjit. Nëse BE-ja nuk i pozicionon reformat në krye të agjendës së BE-së në raport me Serbinë, së shpejti do të jetë shumë vonë. Mbajtja hapur e kapitujve 23 dhe 24 gjatë gjithë negociatave nuk do të funksionojë. Ekziston një shprehje në Serbi e cila e ilustron realitetin – sa më shumë kapituj që Serbia hap, aq më pak demokratik bëhet vendi…
Shqipëria mund t’i bëjë disa nga reformat kyçe, por jo plotësisht në këtë fazë dhe ka kundërshtim ndaj ndryshimeve të status quo-së. Ka kundërshtim të fortë, disa nga qeveria, por shumica nga opozita dhe krimi i organizuar. Megjithatë, nëse qeveria nuk mbështetet kësaj radhe, përparimi ka gjasa të ndryshojë.
Kosova ka ngecur në lidhje me agjendën e konsolidimit të shtetit, në dialogun me Serbinë, dhe në marrëdhëniet me BE-në. Elitat në qeveri dhe opozita nuk janë të gatshme ta transformojnë qeverisjen. Është jetike që Kosova të vendosë paqe me Serbinë dhe të vazhdojë në një kapitull të ri të shtetndërtimit. Nëse nuk ka asnjë marrëveshje, elitat qeverisëse do të vazhdojnë të qeverisin shumë më gjatë në të njëjtën mënyrë. Në rastin e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Serbinë, perspektiva për t’u bërë vend kandidat do të sillte më shumë ndryshime reale brenda Kosovës. Ne vlerësojmë se do të jetë më lehtë të shitet një kompromis sesa të menaxhohet status quo-ja.
Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave, por me BE-në që nuk e bën këtë, vërehet një regres në agjendën për reforma.
4. Qytetarët ende nuk i shohin dobitë e reformave.
Vetëm qytetarët e Malit të Zi janë prekur pozitivisht nga reformat dhe negociatat për kapitujt e aderimit, megjithëse sot ka një pakënaqësi në rritje e sipër me qeverinë.
Në Serbi, në disa mënyra, ata janë kthyer në epokën e errët të viteve 90-të në lidhje me të drejtat themelore, sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave. Dallimi mes asaj kohe dhe kohës së tanishme është se nuk ka konflikte aktive dhe njerëzit kanë më shumë para. Pagat janë më të mira dhe ekonomia disi po përmirësohet.
Udhëheqja serbe, që dështoi t’i përmbushë kërkesat e BE-së dhe të qytetarë ve të saj, ballafaqohet me një zgjidhje: a do t’i shtypë presidenti protestat javore apo do ta ndryshojë kontrollin e madh që ka vendosur në të gjitha aspektet e jetës publike në vend?
Shpresa është kthyer paksa në Maqedoninë e Veriut. Megjithatë, qeveria duhet të tregojë rezultate dhe dobi të qarta të reformave. Testi po afrohet dhe qeverisë i nevojitet një agjendë konkrete për ta mbajtur mbështetjen e qytetarëve të vet për reforma. Për ta bërë këtë, vendi duhet t’i fillojë bisedimet për aderim së shpejti.
Në Kosovë, qytetarët gjithnjë e më shumë janë të interesuar për zgjidhjen e çështjeve me Serbinë. Sondazhet dhe pikëpamjet e njerëzve preken nga diskutimet dhe konfliktet mes aktorëve politikë. Ka pakënaqësi të mëdha me qeverisjen dhe qytetarëve me të madhe po u zhvishen të drejtat nga institucionet. Një dekadë pas pavarësisë, shërbimet publike mbeten shumë të dobëta, arsimi është i dobët dhe qasja në drejtësi mbetet e vështirë.
Zhveshja e të drejtave dhe hendeku në rritje e sipër mes qytetarëve dhe institucioneve/elitave, në gjithë rajonin, e rrezikojnë kohezionin social aq të nevojshëm për zbatimin e reformave. Kohezioni politik dhe shoqëror janë jetikë për reforma. Ekzistojnë tri mënyra për t’i përshkruar agjendat për reforma që po ndodhin pa kohezion politik e shoqëror në Ballkanin Perëndimor:
Qeveria përdor agjendën për reforma si mjet për të luftuar kundër opozitës,
Opozita (ish-qeveritë) i kundërshton reformat, sepse frikësohet nga humbja e kontrollit mbi segmentet e institucioneve të sundimit të ligjit dhe informalitetet që i kishin krijuar gjatë kohës që kanë qenë në qeveri dhe frika nga reperkusionet.
Proceset e reformave që janë bërë agjendë kontestuese midis qeverisë dhe opozitës me një kundërshtim të vërtetë nga të dyja palët.
5. Populizmi që drejtohet drejt nacionalizmit etnik dhe konflikteve – në Evropë, populizëm do të thotë të bëhesh anti-BE dhe të bësh fushatë kundër migrimit. Në Ballkanin Perëndimor, populizëm do të thotë të bëhesh nacionalist, duke nxitur politika etnike dhe retorikë të konfliktit. Ajo që ish-kryeministri maqedonas Nikola Gruevski bëri mes viteve 2008 dhe 2016, Serbia dhe Kosova rrezikojnë ta imitojnë në rastin e asnjë marrëveshjeje, ose në mungesë të një dialogu të vazhdueshëm e të konsoliduar, që duket i pamundur. Shihet qartë që tensionet janë duke u rritur në të dyja anët e kufirit.
Disa udhëheqës të BB-së kanë bërë miq të mirë brenda BE-së. Shtetet anëtare që janë kundër zgjerimit ngulin këmbë në çështjet themelore, reforma dhe standarde në sundim të ligjit. Ata që minojnë standardet e veta të sundimit të ligjit e mbështesin zgjerimin. Disa elita të BB-së e shohin këtë të fundit, pra Hungarinë, për mbështetje dhe bashkëpunim.
6. Format e kapjes së shtetit: elitat qeverisëse dhe të korruptuara kanë para për ta fituar pushtetin. Njëzet vjet pas konflikteve, qeveritë dhe elitat janë bërë më të pasura. Institucionet shtetërore nuk janë të varfra më, elitat janë të pasura dhe qeveritë kanë shumë para për të blerë dhe marrë mbështetje publike. Pagat e nëpunësve publikë, gjyqtarëve, profesorëve, arsimtarëve janë bërë solide. Nëpunësit civilë janë bërë besnikë ndaj strukturave qeverisëse dhe u ndihmojnë ta ruajnë status quo-në. Këto fraksione nuk do ta kërcënojnë qeverinë dhe nuk do ta ndjekin ndonjë ndryshim apo reformë, përveç nëse një pjesë më e madhe e shoqërisë, pra klasa e mesme, ngrihet dhe kërkon reforma.
7. megjithatë, mbështetja e madhe financiare që BE-ja ua jep qeverive për t’i zbatuar dhe mbështetur reformat është shumë e vogël. Paratë që Serbia, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut i marrin nga BE-ja janë shumë pak në krahasim me paratë që qeveritë kanë në duart e tyre. Paratë e BE-së, sipas pikëpamjes së tyre, janë të ngadalshme, të ngurta dhe me dobi publike të vonuar. Me ekonominë politike funksionale, elitat po tërheqin shumë më tepër para që pjesërisht shkojnë në qeveritë e tyre dhe pjesërisht në xhepat e tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre. Kjo po funksionin shumë mirë, në praktikë.
8. Për ta arritur transformimin shoqëror në Ballkanin Perëndimor, siç vë në pah perspektiva e besueshme e BE-së për zgjerim, edhe kjo qasje duhet të ndryshojë. Fondet dhe programet e BE-së duhet të arrijnë te shoqëritë, studentët, universitetet, OJQ-të dhe grupet e qytetarëve që janë në gjendje të ndryshojnë. Kërkesa lokale për reforma duhet të mbështetet duke inkurajuar presionin që të rritet dhe të vijë nga poshtë-lart. Pa fonde dhe mbështetje, vlerat e BE-së nuk mund të rrënjosen në këto shoqëri. Fondet nuk duhet të jenë për qeveritë që nuk duan t’i zbatojnë reformat. Nuk ka të bëjë vetëm për sa para; ka të bëjë gjithashtu me qëndrueshmërinë e politikës dhe me qasjen.
9. EULEX-i duhet të largohet plotësisht nga Kosova dhe të lërë hapësirë për një nismë të re, e cila nuk është vetëm nismë e ngjashme e ripaketuar me një emër tjetër. BE-ja duhet ta angazhojë një ndërmarrje të fortë e konkrete, si misioni PRIEBE për të gjitha vendet. Raporti që rrjedh nga misioni PRIEBE ishte gjithëpërfshirës, konkret, i thjeshtë dhe i nxitur nga veprimet. Ai u bë publik dhe fitoi mbështetjen e të gjithëve, gjë që siguroi suksesin e agjendës.
10. Faktori tërheqës i BE-së punon mirë kur ka një të tillë.
Kosova i zbatoi me sukses reformat lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Maqedonia dhe Shqipëria po bëjnë shumë për ta shpënë përpara agjendën për procesin e aderimit në BE. Megjithatë, me faktorin tërheqës të ngadalshëm të BE-së dhe me pakënaqësinë e madhe të qytetarëve bashkë me elitat që nuk kanë parë ende dobi reale të reformave, mund të arrihet në përfundim se shoqëritë e Ballkanit Perëndimor kanë një rrugë të gjatë për ta kaluar për t’u bërë demokraci solide në mënyrë të pakthyeshme, por duhet të luftojmë bashkë me BE-në për ta ruajtur dhe mbështetur progresin e bërë deri më tani.
Po përfundoj atje ku fillova, me këtë shënim: reformat dhe transformimet e vërteta shoqërore do të ndodhin në Ballkanin Perëndimor, por vetëm me një faktor të fortë tërheqës të BE-së për rajonin.