20 dhjetor 2017 – Nënkryetarët e pesë partive parlamentare VV, LDK, PDK, AAK dhe NISMA u mblodhën për një raund të ri të dialogut politik, të mundësuar nga Grupi për Ballkan. Nënkryetarët nga koalicioni qeverisës dhe partitë opozitare punuan së bashku për një agjendë të re të dialogut, përfshirë temat që kërkojnë bashkëpunim dhe koordinim të fortë midis partive në pushtet, opozitës dhe përfshirjes së drejtpërdrejtë nga parlamenti. Nënkryetarët ripohuan nevojën për ta përmirësuar dialogun duke i dhënë përparësi dhe duke vendosur afate të qarta dhe realiste për trajtimin dhe zgjidhjen e temave të vështira. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi u theksua si çështje urgjente; të gjitha palët u pajtuan se duhet gjetur zgjidhje. Dialogu me Serbinë u konsiderua gjithashtu përparësi kryesore; të gjitha partitë u pajtuan për ta intensifikuar punën dhe përgatitjen për bisedime. Nënkryetarët u pajtuan që në raundin tjetër të trajtohen çështjet një nga një. Raundet e takimeve mes partive politike janë pjesë e dialogut politik që Grupi për Ballkan e ka themeluar në vitin 2016.