13 korrik 2016 – Me iniciativë të Grupit për Ballkan dhe në partneritet me Institutin D4D, përfaqësues të lartë të partive politike u takuan sot në Prishtinë. Ky takim shënon raundin e katërt të dialogut politik. Agjenda e tryezës së rrumbullakët përfshiu diskutime mbi hapat e mëtejmë për gjetjen e një zgjidhjeje konsensuale lidhur me marrëveshjen kufitare me Malin e Zi dhe marrëveshjet me Serbinë. Situata e tensionuar politike dhe mosmarrëveshja për marrëveshjen kufitare kanë ndikuar në procese të tjera të rëndësishme për Kosovën; liberalizimi i vizave në veçanti.
Përfaqësuesit e partive politike kërkuan më shumë debat dhe diskutime për çështjet që shkaktuan mosmarrëveshje, dhe më shumë transparencë dhe përfshirje në proces. Ata u pajtuan për nevojën për të vazhduar me dialogun në formën e formatit të mundësuar nga Grupi për Ballkan. Roli ynë i ndërmjetësimit u miratua dhe këshillua për përgatitjen dhe përmirësimin e dialogut në nivelin e udhëheqësve të partive.