9-12 Nëntor 2021
Grupi për Ballkan organizoi trajnimin e tretë të Programit Ekzekutiv 2021 “Të rinjtë në Politikë: Qeverisja dhe Sistemet Politike”. Njëzet e pesë anëtarë të rinj të të gjitha partive politike morën pjesë në një trajnim intensiv për të mësuar tema dhe shkathtësi të reja. Pjesëmarrësit ishin nga 16 komuna të ndryshme.
Fjalën hyrëse e mbajti Sh.T. Henrik Width, Zëvendës Ambasador i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë. Zv. Ambasadori Width theksoi rëndësinë e trajnimeve të tilla, si një nga faktorët kryesorë për suksesin e një shteti.
Trajnimi përfshiu lëndë si: Integrimi Evropian, Bashkëpunimi rajonal dhe dialogu Kosovë-Serbi, Qeverisja e Mirë dhe Sundimi i Ligjit, Zhvillimi Ekonomik, Politikat Arsimore, Politikat Shëndetësore dhe Përfshirja Gjinore dhe Sociale. Lëndët u ligjeruan nga profesionist të lamive.
Pjesëmarrësve iu ofrua ekspertizë dhe angazhim në aktivitete ndërvepruese si: zhvillimin e aftësive në ciklin e politikave, komunikimin me akterë të ndryshëm, konceptimin e dokumenteve të politikave dhe shpërndarjen e tyre, simulimin e negociatave dhe dialogut, hartimin e memorandumeve dhe të menduarit kritik e konceptual.
Si pjesë e Programit Ekzekutiv “Të rinjtë në politikë”, Grupi për Ballkan organizoi një vizitë studimore në një Kuvendin e Republikës së Kosovës. Pjesëmarrësit e rinj patën një mundësi unike për t’u takuar me nëpunës civil.
Zyrtarët e Kuvendit përgatitën një prezantim të gjerë për rolin e Kuvendit. Pas prezantimit, pjesëmarrësit kishin pyetje shtesë mbi përvojat personale të Zyrtarëve rreth punës në këtë institucion dhe lidhur me sfidat e përditshme me të cilat përballet në përmbushjen e detyrave të tyre.
Komponenti “Të Rinjtë në Politikë” është pjesë e projektit shumë-shtyllësh “Zhvillimi i paqes & shtet-ndërtimit dhe avancimi i agjendës Evropiane”. Programi i Grupit për Ballkan “Të rinjtë në politikë”, mundohet t’iu ofrojë të rinjve dhe anëtarëve të partive politike në tërë Kosovën një mundësi për të zhvilluar aftësi praktike për t’i ndihmuar ata të kapërcejnë disa nga pengesat më kritike në karrierën e tyre në politikë.
Projekti është financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë.