Qeveria e re e Kosovës do të trashëgojë një listë të tërë çështjesh të pazgjidhura, thuhet në raportin e Grupit Ballkanik për Politika, ku pasqyrohen punët që i presin institucionet e reja, me theks të veçantë qeverinë.
Raporti shqyrton nevojat kryesore për reforma në fushën e Administratës Publike, përmbushjen e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) reformave të cilat dalin nga Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), çështjen e dialogut me Serbinë, politikën e jashtme, sistemin e drejtësisë, edukimin, shëndetësinë, mjedisin dhe zhvillimin ekonomik.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, tha për Radion Evropa e Lirë, se qeveria e re, e cila me gjasë do të formohet mbi bazën e koalicionit ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, do të trashëgojë shumë çështje të pazgjidhura.
Një nga çështjet të cilat përmenden në raport është edhe ajo e ligjeve dhe reformave të cilat janë kërkuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Rashiti thotë se janë dy-tre instrumente të fuqishme të cilat përmes bashkëpunimit me BE-në dhe proceseve, siç është përmbushja e Agjendës për Reformave Evropiane (ERA) dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit (MSA), mund të bëjnë ndryshime thelbësore në funksionimin e institucioneve të Kosovës drejt përmbushjes së agjendës evropiane.
“Qeveria e re duhet të vazhdojë me reforma, të luftojë korrupsionin, krimin e organizuar, paralelisht të lobojë te të gjitha vendet anëtare që më në fund të merret vendimi për liberalizim të vizave. Pra, ka ende shumë punë në raport me BE-në dhe reformat dhe do të bëhej një gabim trashanik nëse qeveria e ardhshme vendos të integrojë Ministrinë e Integrimit Evropian me atë të Politikës së Jashtme”, tha Rashiti.
Integrimi i ministrive, është një nga qëllimet e LVV-së dhe LDK-së që synojnë të pakësojnë numrin e ministrive.
Grupit Ballkanik për Politika mes tjerash thotë se institucionet, duhet të kenë një përqendrim në agjendën e reformave, t’i marrin ato në pronësi dhe t’i vënë në qendër të politikëbërjes.
Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit dhe drejtësia 2020, do të vazhdojnë edhe nën qeverinë e re, thuhet në raport. Aty rikujtohet se qeveria në largim nuk arriti të hap kapitullin e ‘ERA II’ me Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me Agjendën e Reformave Evropiane dhe parashikohet që kjo punë t’i bie qeverisë që do të formohet.
“Ka të ngjarë, që ‘ERA II’ të lansohet menjëherë pas marrjes së detyrës nga qeveria e re, kështu që kjo çështje kërkon një kombinim të ri të veprimeve legjislative dhe të iniciativave, në mënyrë që faza e parë e procesit të reformave të ndërtohet dhe zbatohet plotësisht”, theksohet në raport.
Grupit Ballkanik për Politika mes tjerash thotë se institucionet, duhet të kenë një përqendrim në agjendën e reformave, t’i marrin ato në pronësi dhe t’i vënë në qendër të politikëbërjes.
Rishikimi funksional i sektorit të sundimit të ligjit dhe drejtësia 2020, do të vazhdojnë edhe nën qeverinë e re, thuhet në raport. Aty rikujtohet se qeveria në largim nuk arriti të hap kapitullin e ‘ERA II’ me Bashkimin Evropian, që ka të bëjë me Agjendën e Reformave Evropiane dhe parashikohet që kjo punë t’i bie qeverisë që do të formohet.
“Ka të ngjarë, që ‘ERA II’ të lansohet menjëherë pas marrjes së detyrës nga qeveria e re, kështu që kjo çështje kërkon një kombinim të ri të veprimeve legjislative dhe të iniciativave, në mënyrë që faza e parë e procesit të reformave të ndërtohet dhe zbatohet plotësisht”, theksohet në raport.
Rashiti konsideron se pa arritjen e një konsensusi ndërmjet udhëheqësve të institucioneve dhe partive politike, nuk mund të ketë rezultate të prekshme në shumë çështje sfiduese për Kosovën.
“Marrëdhëniet e tensionuar politike në vitet e fundit kanë lënë shumë procese mbrapa, jo vetëm në raport me dialogun me Serbinë, por në shumë aspekte në reformat kryesore, në liberalizimin e vizave, në bashkëpunimin rajonal, në zhvillimin ekonomik, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, në integrimin e veriut. Pra, mosarritja e një konsensusi për çështje të caktuara mbetet shqetësimi kryesor”, tha ai.
Ai thotë se nuk ka dyshim që Kosova i ka përmbushur kriteret e BE-së për liberalizimin e vizave, mirëpo me vetë faktin se nuk e mori ende liberalizimin, Rashiti thotë se institucionet duhet të vazhdojnë me angazhime shtesë, sidomos n rrafshin e sundimit të ligjit, duke luftuar krimin dhe korrupsionin. Një angazhim i shtuar në përmbushjen e agjendës evropiane, sipas tij, do të siguronte argumente shtesë për shtetet brenda institucioneve evropiane që po kërkojnë përfshirjen e Kosovës në liberalizim të vizave.
Ndërkaq, analisti Butrint Berisha nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, tha për Radion Evropa e Lirë, se Qeveria e re e Kosovës pas marrjes së mandatit, në radhë të parë duhet të bëjë zbatimin e plotë të dokumentit “ERA” për të vazhduar tutje me hapat e tjerë në drejtim të përmbushjes së kërkesave të tjera.
“Institucionet e Kosovës kanë mundur dhe është dashur që të bëjnë më mirë punën e tyre për të zbatuar obligimet që dalin nga dokumentet e BE-së. Qeveria e re në ardhje, definitivisht duhet që të përvjelë mëngët dhe në radhë të parë të bëjë zbatimin e plotë të dokumentit ‘ERAÇ. Dhe së dyti të finalizojë nënshkrimin e marrëveshjes ‘ERA II’ e cila ka filluar, por nuk është nënshkruar nga qeveria e fundit”, tha Berisha.
Hapësira e manovrimit për qeverinë e re, thuhet në raportin e Grupit Ballkanik për Politika, do të jetë e kufizuar nga realiteti socio-ekonomik, administrata joefikase, me mungesa të mëdha fondesh, dhe me një sistem jofunksional partiak.
Edhe 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, thonë analistët, Kosova dhe institucionet e saj, po përballen me shumë sfida si në rrafshin e brendshëm, po ashtu edhe në atë të ndërkombëtar. Analistët politikë konsiderojnë se ndër sfidat më të mëdha mbeten: sundimi i ligjit, përparimet në agjendën integruese evropiane, përmirësimi i imazhit të shtetit, zhvillimi ekonomik dhe luftimi i krimit dhe korrupsionit./REL