Rezultatet preliminare të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, e kanë vendosur si fituese të zgjedhjeve Lëvizjen Vetëvendosje, të pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Të dy këto subjekte politike, gjatë mandatit të fundit, ishin në opozitë, ndërkohë që tani ndodhen në rrugë drejt formimit të një koalicioni të përbashkët qeverisës. Në rast të krijimit të qeverisë së përbashkët ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, një nga çështjet dhe sfidat e para për qeverinë e re besohet të jetë vazhdimi i dialogut me Serbinë.
Në bazë të deklaratave të përfaqësuesve të këtyre dy partive për dialogun, si Vetëvendosje ashtu edhe LDK kanë qëndrim të përbashkët se në planin e brendshëm, fillimisht duhet të zvogëlohet roli i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kompetencat kryesore në këtë proces t’i marrë qeveria.
Ndërsa sa i takon taksës 100 për qind të vendosur nga Qeveria në largim e Kosovës për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, e cila nga Beogradi është parë si pengesë për vazhdimin e dialogut, as Vetëvendosje e as LDK-ja nuk janë të gatshme që ta shfuqizojnë atë, të paktën pa e vendosur një masë të reciprocitetit.LEXONI EDHE KËTË:Partitë politike: Taksa vazhdon edhe pas zgjedhjeve
Në planin e saj qeverisës sa i takon dialogut me Serbinë, Vetëvendosje e Albin Kurtit, fillimisht kërkon vlerësimin e marrëveshjeve të arritura nga viti 2011 e deri më 2017.
Albin Kurti, i cili në bazë të rezultatit preliminar ka paralajmëruar të jetë mandatar për formimin e qeverisë së ardhshme, ka thënë se ai do të udhëheqë delegacionin e Kosovës dhe parasheh ta përfshijë edhe opozitën.
“Ne pajtohemi atëherë kur Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe është e gatshme të na e njohë edhe të drejtën e suksesionit edhe në pasuri edhe të drejtën e reparacionit për shkak të dëmeve, humbjeve dhe vuajtjeve të luftës që na i ka shkaktuar”, kishte deklaruar Kurti gjatë një diskutimi të organizuar nga Lëvizja “FOL”.LEXONI EDHE KËTË:Analistët parashikojnë negociata të vështira për formimin e qeverisë
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila ka qenë pjesë e procesit të bisedimeve, gjatë kohës sa Isa Mustafa ishte kryeministër në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike të Kosovës, thotë se nuk do të ngutet për arritjen e marrëveshjes.
Sa i takon taksës për produktet me origjinë nga Serbia, në LDK kanë qëndrim se taksa mund të hiqet për t’u zëvendësuar me reciprocitet.