Drejtori ekzekutiv i Grupit për Hulumtim të Politikave në Ballkan, Naim Rashiti, po tenton të mbledhë liderët e partive politike për të gjetur një konsensus rreth platformës për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga Bashkimit Evropian.
Në takimin e tyre pritet të diskutohet edhe emërimi i ekipit negociator.
Gazeta Alo ka mësuar se ky takim është thirrur nga vetë Naim Rashiti, por ky i fundit nuk ka konfirmuar diçka konkrete.
“Ende asgjë nuk është e konfirmuar,” është shprehur Rashiti për Gazeta Alo.
Në Partinë Social Demokrate thonë se nuk kanë marrë ndonjë ftesë. Derisa deputeti Visar Ymeri nuk deshi të flas me arsyetimin se po hynte në një takim, zëdhënësi i kësaj partie, Shkodran Hoti, thotë se ende nuk kanë ndonjë ftesë rreth këtij takimi.
Sipas agjendës, takimi pritet të mbahet nga ora 17:00 deri në orën 19:00, në Prishtinë. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të marrin pjesë dy nënkryetarët Lutfi Haziri dhe Agim Veliu.
Nga Partia Demokratike e Kosovës pritet të marrin pjesë lideri i partë, Kadri Veseli, dhe nënkrytari Enver Hoxhaj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje pritet të marrin pjesë lideri i kësaj partie, Albn Kurti dhe shefi i Grupit Parlamentar, Glauk Konjufca.
Nga Partia Socialdemokrate pritet të marrin pjesë lideri i kësaj partie, Shpend Ahmeti dhe nënkryetari Visar Ymeri.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pritet të marrin pjesë lideri i kësaj partie Ramush Haradinaj dhe nënkrytari Blerim Kuçi.
Nga NISMA për Kosovë pritet të marrin pjesë lideri i kësaj partie Fatmir Limaj dhe sekretari i përgjithshëm Bilall Sherifi.
Naim Rashiti ka arritur më shumë se dhjetë herë të mbledhë përfaqësuesit politik për çështje aktuale të interesit nacional, dhe shpeshherë nga këto takime ka rrjedhë një konsensus i përbashkët./Gazeta Alo