Përfaqësuesit e subjekteve politike miratuan të enjten deklaratën për kodin e mirësjelljes për mbajtjen e suksesshme të zgjedhjeve të 11 qershorit, avancimin demokratik dhe konsolidimin e institucioneve të Kosovës.
Me miratimin e deklaratës në lidhje me kodin e mirësjelljes për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, subjektet angazhohen për një fushatë fer, dinjitoze, në kuadër të normave demokratike pa përdorim të gjuhës së urrejtjes dhe duke respektuar njëri tjetrin.
Subjektet shprehin besimin e plotë se procesi zgjedhor do të jetë i ndershëm dhe demokratik. Ato ftojnë të gjithë anëtarët, kandidatët e tyre, partnerët e koalicionet që t’ju përmbahen këtyre parimeve.
Po ashtu, ftohen të gjitha organizatat jo qeveritare, qeveritare dhe ato ndërkombëtare të bëjnë monitorimin e procesit zgjedhor dhe zbatimin e këtyre parimeve.
Subjektet bëjnë thirrje për adresimin e çdo pengese eventuale për pjesëmarrje të gjerë në zgjedhje dhe zotohen për pranimin e rezultateve.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka siguroi subjektet se çdo ankesë apo parregullsi e mundshme do të adresohet para certifikimit të zgjedhjeve.
Ndryshe, miratimi i deklaratës u bë në prani të kryetares së Komisionit Qendror Zgjedhor, përfaqësuesve të misionit të BE-së, të ambasadës së Zvicrës, Norvegjisë, SHBA-ve dhe Gjermanisë.
Burimi: http://gazetafjala.com/subjektet-politike-miratojne-deklaraten-per-kodin-e-miresjelljes/