Alo, Kosova?

“Konsumator i nderuar, kodi i vjetër +377 tash e tutje nuk është funksional. Ju lutëm përdorni kodin e ri shtetëror +383”.

Ky ishte mesazhi që një prej operatorëve telefonik në Kosovë po u dërgonte klientëve të tij për t’i njoftuar ata me ndryshimin e kodit telefonik, pas marrëveshjes së arritur në mes të Prishtinës dhe Beogradit në dialogun teknik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kjo poashtu shënoi fillimin e identitetit të ri të Kosovës në fushën e telekomunikacionit ndërkombëtar.

Dialogu teknik i Brukselit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian filloi në vitin 2011. Telekomunikacioni ishte njëra nga temat e diskutuara me pritjet që marrëveshja të ndikonte tutje në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy palëve. Marrëveshja në telekomunikacion, si rezultat i negociatave të ndërmjetësuara nga BE u arrit në vitin 2013. Ajo i mundësoi Kosovës të pranoj kodin ndërkombëtar (+383), siç u specifikua nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Krijimi i mundësisë që Kosova të këtë kodin e saj ndërkombëtar pritej të vendoste rregull ndaj operimeve të palicencuara në disa zona të Kosovës, të banuara kryesisht me popullatë serbe.

Operatorët e palicencuar pas luftës kishin funksionuar pothuajse në tërë territorin e Kosovës. Kjo praktikë shkaktonte probleme në përditshmëri, sidomos për qytetarët serbë të Kosovës. Dragana, një studente në Universitetin e Mitrovicës së Veriut tregon: “Me numrin tim 064 (operator nga Serbia), më duhej të isha vetëm në zona të caktuara përbrenda Kosovës, që të mund të komunikoja me familjen në veri të Mitrovicës. Tash as nuk mendoj për këtë. Prandaj edhe ndjehem e lirë në lëvizje”.

Marrëveshja i mundëson Kosovës paraqitjen në regjistrat online të telekomunikimeve dhe iu mundëson qytetarëve të saj të përdorin vetëm një kod telefonik në thirrjet e brendshme dhe ndërkombëtare. Falë marrëveshjes në fjalë, qytetarët e Kosovës, sidomos ata të komunitetit serb, nuk janë të obliguar të mbajnë dy telefona, njërin për komunikim në Kosovë, e tjetrin për komunikim me Serbinë. Më herët, një situatë e tillë krijonte komplikime edhe në nismat për paqe, në nivel rajonal; një aktiviste e një rrjeti rajonal, tregon: “Për të kontaktuar me kolegët e mi në Beograd, më duhej domosdo të isha në zyrë, afër telefonit fiks, që vërtetë më limitonte. Sot mund të iu përgjigjem urgjencave të punës nga kudo. Tani, gjatë udhëtimeve të punës në Beograd mund të pranoj thirrje në numrin tim, dhe të komunikoj me familjen time, pa pasur nevojë të blej numër lokal”.

Deri në arritjen e kësaj marrëveshje, Kosova kishte në përdorim tri kode telefonike, përfshirë atë të ish-Jugosllavisë (+381). Thirrjet telefonike mobile ishin të kufizuara sipas njohjes së ofruesve të shërbimeve. Për këtë arsye, marrëveshja ishte e dobishme për njerëzit që jetojnë në Mitrovicë, jeta e të cilëve është e lidhur me dy anët e lumit; Senadi, i cili jeton në lagjen e boshnjakëve në bregun verior të lumit Ibër tregon: “Jeta ime është e lidhur me dy anët dhe me dy sistemet e telekomunikimit. Shpresoj se rregullimi i telekomunikacionit të ndihmoj edhe në rregullimin e jetëve tona”.

Marrëveshja pritet të rrisë sigurinë në telekomunikim, duke kontrolluar trafikun e telefonisë fikse dhe mobile. Edhe të hyrat në buxhetin e Kosovës pritet të shtohen, ngaqë nuk do të ketë përdorim të kodeve të tri shteteve tjera; për ilustrim – që nga themelimi në 2000, operatori mobil Vala në emër të përdorimit të prefiksit të Monakos (+377), i ka paguar Monaco Telecom-it rreth 200 milionë euro në total.

Me kodin e vet telefonik, Kosova do të jetë në gjendje të ofrojë shërbime më të mira të telefonisë me kosto më të favorshme për qytetarët e saj, duke pasur parasysh që serveri menaxhues i këtij kodi do të jetë në Prishtinë.

Tjetër aspekt i rëndësishëm i marrëveshjes është edhe dakordimi për përcaktimin e kufirit të frekuencës ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që do të zbatohet në një fazë të mëvonshme. Kjo përfshinë harmonizimin e përdorimit të spektrit për sinjalin për GSM dhe televizion, përfshi transmetimin digjital, me qëllim të sigurimit të shërbimeve të bazuara në parimet e ITU-së dhe duke shmangur ndërhyrjet siç përshkruhet në nenin 2 të kësaj marrëveshje. Kjo i mundëson Kosovës të zhvillojë programin e vet të digjitalizimit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe në pajtim me Agjendën Digjitale Evropiane të BE-së, si dhe të harmonizojë përdorimin e spektrit të GSM-së dhe sinjaleve televizive, përfshirë transmetimin digjital tokësor. Marrëveshja gjithashtu parasheh që të dy palët të arrijnë marrëveshje bilaterale të roamingut, në pajtim me nismat tjera rajonale. Shtetet anëtare të BE-së tashmë kanë hequr të gjitha tarifat e roamingut për zonën e vendeve të BE-së.

Para kësaj marrëveshje thirrjet mes Kosovës dhe Serbisë nuk ishin të mundshme brenda territoreve të tyre përkatëse. Operatorët mobilë të Kosovës nuk njiheshin nga Serbia, ndërsa autoritetet e Kosovës i ndaluan operatorët e paregjistruar serbë të telefonisë mobile. Siç shprehet Veselin një qytetar i komunitetit Serb nga jug i Kosovës: “Mendoj që kjo marrëveshje ka mundësuar konkurrencë të shëndoshë në mes të operatorëve që funksionojnë këtu, përfshirë ata serbë. Tani, ne mund të përdorim përfitimet e pakove të ndryshme atraktive që ofrohen nga operatorët në Kosovë, pa u ndier të hendikepuar edhe në komunikim me familjarët tanë në Serbi”.

Duke i parë rezultatet, mund të konkludohet se kjo është një nga marrëveshjet më të suksesshme nga procesi i dialogut teknik i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Kosova dhe Serbia Serbia janë duke e zbatuar marrëveshjen dhe pritet të arrijnë marrëveshje edhe për shërbimet postare pasi dërgesat për – dhe nga – Kosova kanë vështirësi të arrijnë destinacionin e tyre nëse kalojnë nëpër Serbi. Madje, edhe këtu marrëveshja për telekomunikimin ka një kontribut, duke e precizuar këtë çështje në nenin 5 të Marrëveshjes së Brukselit për Telekomunikacionin.

Gazmir Raci ka qenë aktivist i shoqërisë civile në Kosovë deri në vitin 2010, pjesë e Ministrisë së Administratës Publikë të Kosovë gjatë vitit 2010 si shef kabineti, student i shkencave politike dhe ishte pjesë e Qeverisë së Kosovë në ekipin/delegacionin për dialogun teknik të Brukselit nga viti 2011 deri 2017 dhe gjatë asaj kohe ishte koordinator politik për marrëveshjet e arritura për telekomin, mbledhjen e të hyrave doganore në pjesën veriore, revitalizimin e urës së Ibrit në Mitrovicë, fondin zhvillimor për pjesë veriore, kadastrin etj.

Ky publikim është botuar me asistencë financiare të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group signed a cooperation agreement with the Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, to support the new project - Advancing the European Agenda for Kosovo: Consolidating Peace Institutions and EU-Related Reforms. This project aims to strengthen…

3

Load More