Marrëveshja finale Kosovë-Serbi duhet të jetë në harmoni me Vlerat Liberale Perëndimore

Visar Xhambazi

Dialogu Kosovë-Serbi ka shënuar një dekadë, ndërkaq progres relativ është arritur sa i përket përmirësimit të jetës së qytetarëve të të dyja vendeve.  Sidoqoftë, dialogu ende nuk ka arritur të gjej një rrugë drejt një marrëveshje përfundimtare dhe gjithëpërfshirëse, e kjo meqë palët po mbajnë pozicione të kundërta lidhur me atë se si duhet të përmbyllet ky proces.

Gjatë vitit të kaluar, ishte krijuar ideja që Kosova dhe Serbia ishin në prag të një “marrëveshje finale”.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin emëruar dy përfaqësues të veçantë në rajon: Zv. Ndihmës Sekretari i SHBA-ve, Matthew Palmer, u zgjodh nga Departamenti i Shtetit në cilësinë e përfaqësuesit të veçantë për Ballkanin Perëndimor, ndërkaq Richard Grenell u emërua nga Presidenti Trump si i dërguar i posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi. Për më tepër, Bashkimi Evropian emëroi Miroslav Lajcak si emisar special për dialogun Kosovë-Serbi.

Kjo përfshirje në rritje e aleatëve nga të dy anët e Atlantikut, ndërroi diskursin publik pothuajse në tërësi, drejt konsiderimit të mundësisë së arritjes së një marrëveshje përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mundësitë e arritjes së një marrëveshje finale dukej se mbështeteshin në dy opsione: 1) krijimin e një asociacioni/bashkësie të komunave me shumicë Serbe me fuqi ekzekutive ose 2) shkëmbim territorial.

Të dy opsionet ishin ndërtuar mbi premisën që të dy vendeve u duhej gjetja e një kompromisi, pra që Kosova duhet të jep diçka në këmbim të njohjes implicite apo eksplicite nga ana e Serbisë.

Opsionet e propozuara megjithatë kanë një të metë bazike, janë të bazuara në zgjidhje territoriale dhe etnike që bien ndesh me vlerat liberale perëndimore; vlera këto, që të dy shtetet duhan t’i përqafojnë, si kusht i domosdoshëm për t’iu bashkuar BE-së.

Opsioni i parë, krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë Serbe (ratifikuar në Kuvendin e Kosovës); që do i’u njihte këtyre komunave kompetenca të caktuara ekzekutive, ishte shpallur jo kushtetues nga gjykata më e lartë e vendit, Gjykata Kushtetuese.

Ideja e mveshjes së komunave me kompetenca ekzekutive, bazuar në etni, bie ndesh me natyrën multi-etnike të shtetit dhe kufizon mundësitë për bashkëpunim në mes të komuniteteve etnike. Kosova është shtet multi-etnik, me kushtetutë progresive, që mbron dhe promovon të drejtat e minoriteteve.

Opsioni i dytë i kushtohet shkëmbimit territorial, si rezultat i të cilit Kosovës do i takonte një pjesë në Jug-Lindje të Serbisë, pjesë e populluar me shumicë shqiptare, ndërkaq Serbisë do i takonte një pjesë e veriut të Kosovës, e populluar me shumicë serbe.  Kjo ide u kundërshtua nën arsyetimin që do të krijonte probleme të tjera rajonale, në vend të normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ideja e shkëmbimit territorial shkon përtej deklaratës së Grupit të Kontaktit për Kosovën (i përbërë nga SHBA-të, Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Italia dhe Rusia); të nëntorit të vitit 2015, që theksonte që nuk do të ketë ndarje të territorit të Kosovës, nuk do të ketë kthim në situatën para vitit 1999 dhe nuk do të ketë unifikim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër.

Si zgjidhje, shumë herë u përmend edhe dhënia e statusit ekstraterritorial për monumentet kulturore dhe religjioze serbe.

Sipas kushtetutës Kosova është një shtet sekular. Si i tillë, nuk duhet t’ia njoh statusin ekstraterritorial Kishës Ortodokse Serbe. Kosova në fakt, obligohet që të mbrojë dhe të ruaj të gjitha monumentet religjioze brenda territorit të vet, ndërkaq njohja e statusit të veçantë ndaj monumenteve të njërit religjion, bie ndesh me natyrën e Republikës.

Kosova në fakt duhet të fokusohet në përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të popullsisë pakicë, por duke respektuar kufijtë e vet aktual dhe secilin qytetar që jeton brenda këtyre kufijve. Mbi të gjitha, duhet të qëndrojë e kujdesshme ndaj çdo marrëveshjeje që mund të dëmtoj punën e vështirë e të nevojshme për pajtim. Prandaj, arritja e një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk duhet, si e tillë, të vëj në rrezik funksionalizimin e shtetit dhe harmoninë e qytetarëve të saj.

Si përfundim, marrëveshja finale në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në harmoni me vlerat liberale perëndimore, të bazuara në solidaritet dhe në të drejtat e njeriut. Vetëm duke respektuar këto vlera, do të mund të jetësohet një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do t’i linte pas demonët nacionalist të së kaluarës (në rajon).

Kosova është një shembull i rrallë i intervenimit humanitar dhe shtet-ndërtimit të suksesshëm, prandaj mund të bëhet edhe standard i zgjidhjes paqësore të konfliktit dhe i pajtimit.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Angleze.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

🎉Celebrating the 10th anniversary of impactful work, the Balkans Group has been at the forefront of addressing Kosovo's and the region’s most pressing challenges.

Through supporting peace, fostering dialogue between Kosovo and Serbia, strengthening institutions, advancing…

4

Load More