Dialogu i drejtpërdrejtë si mjet për stabilitetin rajonal

Organizata “Aktiv” e Mitrovicës së Veriut ka organizuar në Prishtinë konferencën me temën “Dialogu i drejtpërdrejtë si mjet për stabilitetin rajonal”. Gjatë dy ditëve të konferencës mbi 20 aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, punëtorë të kulturës dhe ekspertë të tjerë të Kosovës e të Serbisë kanë diskutuar për dialogun dhe për bashkëpunimin në mes të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në mes të bashkësive në Kosovë në fusha të ndryshme të zhvillimit shoqëroro-ekonomik në të gjitha fushat, shkruan sot gazeta Zëri.

Ka përfunduar në Prishtinë forumi i parë i shoqërisë civile me temën “Dialogu i drejtpërdrejtë si mjet për stabilitetin rajonal”, të cilin e ka organizuara organizata “Aktiv” e Mitrovicës së Veriut. Gjatë dy ditëve sa ka zgjatur konferenca është diskutuar për dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradi me ndërmjetësim të BE-së, për bashkëpunimin ekonomik si inkurajim për dialog, për kulturën diplomatike si një korridor i pashfrytëzuar për dialog, për rrugën e pajtimit në mes serbëve dhe shqiptarëve, për rolin e medieve në procesin e dialogut dhe për të rinjtë si pjesëmarrës në dialog. Pjesë e panelit kanë qenë: shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë Jan Brathu, Marko Savkoviq drejtor programor i Fondit për të Veçantat Politike në Beograd, Sonja Liht kryetare e të njëjtit Fond, Naim Rashiti drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Politikë Hulumtuese, Jelica Miniq përfaqësuese e Lëvizjes Evropiane për Serbinë dhe Visar Xhambazi hulumtues politik nga Demokracia për Zhvillim.

Jan Brathu: Nuk mund të ketë pajtim nëse nuk shikohet nga e ardhmja

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu, në fjalën e tij ka lavdëruar organizatorin, organizatën “Aktiv” të Mitrovicës së Veriut për iniciativën, e cila, siç tha ai, “ia vlen për ta mbështetur”. Brathu ka thënë se nuk do të ketë pajtim nëse nuk ekziston vullneti për të lënë diçka anash, jo të harrohet, por të shikohet në të ardhmen e cila i kyç të gjithë dhe e cila duhet të jetë e mirë për të gjithë. “Mendoj se ekziston e vërteta në atë fjalën ‘nuk mund të jem i lumtur derisa fqinji im nuk është i lumtur, nuk mund të jem i sigurt, nëse fqinji im ndihet i pasigurt dhe nuk mund të kem jetë të mirë, nëse fqinji im vuan dhe nuk ka para për nevoja elementare të jetesës’, bëhet fjalë për të përgjegjësinë e përbashkët. Nuk e dimë se çfarë do të jetë rezultati, ndoshta njëfarë, ndoshta kurrfarë. E njëjta vlen edhe për këtë konferencë. Kjo është hera e parë që merret një iniciativë dhe meriton të mbështetet. Nuk do të thotë se është e lehtë, por duhet ta pranojmë se duhet bërë përpjekje. Mendoj se është me rendësi të bisedojmë njëri me tjetrin, dikush thotë se këto janë vetëm biseda, por ato nuk janë të rëndësishme vetëm për vete. Bëhet fjalë për ndërtimin e raporteve për mirëkuptim dhe për shikimin e qëndrimeve të të tjerëve. Misioni i OSBE-së në Kosovë gjithmonë do ta mbështesë këtë mënyrë të angazhimit qytetar, këtë formë të dialogut në mes të bashkësive dhe shoqërisë civile”, ka thënë mes tjerash shefi i OSBE-së në Kosovë, Jan Brathu.

Savkoviq: Deficiti tregtar në Kosovë është rritur

Drejtori programor i Fondit për Politika të Veçanta (BFPE) në Beograd, Marko Savkoviq, ka vlerësuar se vendosja e taksës ka ndikuar në ekonominë e Serbisë dhe ka goditur shumë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme që kanë humbur një treg të rëndësishëm derisa lojtarët e mëdhenj lehtë janë përshtatur. “Më së shumti janë goditur prodhuesit e miellit e më e keqja është se njerëzit janë detyruar të hyjnë në të ashtuquajturën ‘Zonë e Kaltër’, siç është rasti me njerëzit e Tutinit. Njerëzve u ka hyrë në kokë se Serbia humbi gjysmë miliardi euro në vit. Humbja për BDP-në e Serbisë sillet prej 0,3 deri në 0,5 për qind, kështu që kemi rritje ekonomike prej vetëm 3,6 për qind”, ka konstatuar Savkoviq.

Sipas tij, nga taksa ka humbur edhe Kosova. “Industria është shumë e rëndësishme për shoqërinë tonë nëse dëshirojmë të paraqitemi si ofrues të shërbimeve. Gjysma e importit ose një e treta nga Serbia ka qenë repromaterial, kështu që me vendosjen e taksës humbje ka pësuar edhe prodhimi kosovar. Më së shumti janë goditur prodhuesit e industrisë ushqimore, ata të ambalazhit, farmaceutikës, industria e naftës dhe e materialit ndërtimor. Deficiti tregtar në Kosovë është në rritje, ndërsa janë shënuar rritje të çmimeve të mallrave me pakicë në masën 5 për qind, ndërsa inflacioni është rritur për 3,3 për qind”, ka thënë Savkoviqi.

Në anën tjetër Pauline Menthonnex-Gacaferri, drejtoreshë e punëve në Ambasadën e Zvicrës në Kosovë, ka vlerësuar se normalizimi nënkupton mirëbesimin, përgjegjësinë dhe pronësinë, ndërsa përgjegjësia në proces nga ana e njerëzve që janë direkt në të janë kyçe për suksesin e dialogut. Në ditën e parë kanë folur edhe Sonja Liht, kryetare e Fondit për Politika të Veçanta në Beograd, Naim Rashiti, drejtor ekzekutiv i Grupit Ballkanik për Politikë Hulumtuese, Jelica Miniq, përfaqësuese e Lëvizjes Evropiane për Serbinë dhe Visar Xhambazi, hulumtues politik nga Demokracia për Zhvillim.

“Aktiv”: Shoqëria civile duhet të ketë rol të rëndësishëm në dialog

Drejtori ekzekutiv i organizatës “Aktiv” në veri të Mitrovicës, Miodraga Miliçeviq, ka përkujtuar se konferenca është vazhdimësi e iniciativës, të cilën “Aktiv” e kishte ndërmarrë vitin e kaluar me një minikonferencë të organizuar në Prishtinë si nevojë e shoqërisë për ndryshime. “Ne të gjithë e dimë se çka na ngarkon, jo vetëm sot, por gjithë këto vjet prapa, por gjithashtu kemi parë momentin ku nuk ekziston niveli i mjaftueshëm i bashkëpunimi, jo vetëm në mesin e shoqërisë civile, por edhe në kuptimin e aktiviteteve të dialogut, kërkesa për ndryshime të aktiviteteve në nivelin shoqëroro-politik. Këtu diku ka qenë fillimi për nevojën e një dialogu të shoqërisë civile, që në fakt është të kërkojmë një formë të dialogut të drejtpërdrejtë nëpërmes të cilit të gjejmë përgjigje në disa çështje, gjegjësisht në disa tema që janë shtruar e që janë pjesë e konferencës”, ka thënë Miliçeviqi.

Sipas tij, meqë organizata “Aktiv” është rajonale, jo vetëm lokale, konferenca ka për qëllim t’i japë shtytje dialogut në mes të Beogradit dhe Prishtinës. “Në këtë proces janë harruar njerëzit e thjeshtë, nevojat e tyre reale, janë harruar ato që kanë qenë temë e dialogut, por kurrë për çështje të njerëzve, por më së shumti është biseduar për tema politike. Kjo na ka motivuar që ta organizojmë konferencën në Prishtinë me sektorin e shoqërisë civile të Serbisë dhe të Kosovës, duke përfshirë edhe komunitetin diplomatik, që është mirë pasi ideja është që të dërgojmë mesazh se çfarë e pret shoqërinë tonë”, ka shtuar Miliçeviqi.

Ai ka siguruar se pas përfundimit të konferencës do të hartohet një raport i përbashkët, i cili do t’i ofrohet shoqërisë civile në Kosovë dhe në Serbi, me qëllim të mbështetjes së tij dhe pastaj do t’u dorëzohet të dyja qeverive, në Prishtinë dhe në Beograd, si dhe bashkësisë ndërkombëtare, e cila ka rol të rëndësishëm në gjithë procesin.

Gjatë dy ditëve të konferencës mbi 20 aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë, punëtorë të artit e të kulturës dhe ekspertë të tjerë të Kosovës dhe të Serbisë kanë diskutuar për dialogun dhe për bashkëpunimin që zhvillohet në mes të Beogradit dhe Prishtinës, si dhe në mes të bashkësive në Kosovë në fusha të ndryshme të zhvillimit shoqëroro-ekonomik. Ata kanë dërguar mesazhin e qartë për avancimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

Forumi dyditor është mbështetur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, nga BE-ja, nga Misioni i OSBE-së, nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur dhe nga fondacioni “Fridrih Ebert”. /ZERI


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group is looking for a Finance and Admin Intern to join our team.

👉 The closing date for applications is 15 November 2024.

🖇 For more details, visit the link: https://shorturl.at/JcTEe

Load More