Efektet e marrëveshjeve teknike: Perspektiva rome

Komuniteti rom është njëri nga komunitetet më të margjinalizuara në Kosovë. Në mesin e problemeve të shumta me të cilat ata ballafaqohen është edhe mungesa e dokumenteve civile të Kosovës. Disa romë, për arsye të ndryshme, nuk  kishin të drejtë të marrin dokumente civile të Kosovës. Kjo mungesë e dokumenteve ndikoi në margjinalizimin e mëtejshëm të pjesëtarëve të këtij komuniteti.

Gjatë dialogut Kosovë-Serbi, më 2 korrik 2011, u nënshkrua Marrëveshja për Regjistrin Civil, e cila në mënyrë të konsiderueshme kontribuoi në zgjidhjen e këtij problemi. Marrëveshja parashihte që palët së bashku të bënin çdo përpjekje të mundshme për të krijuar një regjistër plotësisht të besueshëm civil në Kosovë, duke synuar identifikimin e boshllëqeve në librat origjinal amzë, të zhdukur/asgjësuar para vitit 1999.

Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 1,798,506 persona, në mesin e të cilëve janë shumë komunitete të ndryshme pakicë, dhe prej të cilëve 35,784 romë, ashkali dhe egjiptianë (8,824 romë, 15,436 ashkali dhe 11,524 egjiptianë) që përbëjnë pak më shumë se 2% të popullsisë së përgjithshme. Kushtetuta e Kosovës e njeh komunitetin rom si një nga pakicat e saj etnike dhe si e tillë u jep të drejta të barabarta, në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe vendore të të drejtave të njeriut.

Sipas raporteve të OSBE-së, para konfliktit, në Kosovë kanë jetuar më shumë se 100,000 romë, ashkali dhe egjiptianë, shumë prej të cilëve u larguan gjatë dhe pas konfliktit, ndërsa ata që qëndruan dhe u kthyen më vonë kanë pasur trajtim negativ në kuadër të sistemit të regjistrimit civil. Regjistrimi civil është e drejtë themelore përmes së cilës një person identifikohet dhe njihet si pjesëtar i vendit/shoqërisë në të cilën personi jeton. Vite me radhë pas përfundimit të konfliktit, romët ballafaqoheshin me sfida në ushtrimin e kësaj të drejtë. Certifikatat dhe dokumentet tjera personale të identifikimit iu kishin humbur, nuk i kishin marrë me kohë ose e kishin të vështirë për t’i marrë, pasi u duhej të udhëtohonin në Serbi për të marrë dokumentet e vjetra. Sfidat për të marrë dokumentacionin personal rezultuan me shumë romë që nuk ishin në gjendje të siguronin punësim të rregullt ose mirëqenie sociale minimale. Regjistrimi në shkollë, udhëtimi ose aktivitetet tjera të nevojshme që kërkonin dokumente personale ishin pengesa të tjera të mëdha në të cilat haste ky komunitet çdo ditë.

Edhe pse isha i vetëdijshëm për vështirësitë në marrjen e dokumenteve personale, me të cilat ishin ballafaquar miqtë dhe familjarët e mi, unë u ballafaqova me këto çështje atëherë kur më lindi vajza në vitin 2009, në Spitalin e Mitrovicës. Në atë kohë, zyrat e regjistrimit të Kosovës nuk pranonin dokumente të lëshuara nga institucionet e Serbisë. Pas shumë përpjekjesh dhe trokitjeve nga zyra në zyrë, vajza ime përfundoi me tri certifikata lindjeje – të Serbisë, të UNMIK-ut dhe të Kosovës. Me përparimin e shënuar në zyrat e regjistrimit në Kosovë, kur më lindi fëmija i dytë në vitin 2014, arrita që djalit tim t’ia nxjerr certifikatën e lindjes së Kosovës vetëm me fletëlëshimin nga spitali në veri të Mitrovicës. Isha kureshtar për të kuptuar se çfarë kishte kontribuar në këtë ndryshim dhe zbulova se ishte marrëveshja për Regjistrin Civil, e nënshkruar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2011. Shumë nga komuniteti rom nuk janë në dijeni të ekzistencës së Marrëveshjes për Regjistrin Civil dhe si rezultat i kësaj, shumë romë vazhdojnë të jenë të paregjistruar.

Zbatimi i Marrëveshjes për Patentë Shoferë gjithashtu ka ndikuar në jetën time. Në tetor të vitit 2010, kam kaluar me sukses testin e vozitjes në Zveçan në veri të Kosovës. Kalova teorinë dhe provimin praktik dhe me këtë mora patentë shoferin e Serbisë. Megjithatë, ky ishte një dokument i pavlefshëm për institucionet e Kosovës. E kisha marrë nga një subjekt zyrtar, prandaj vendosa të rrezikoja dhe të vozisja. Natyrisht, shumë shpesh policia më tërhiqte vërejtjen se më duhej të merrja patentë shoferin e Kosovës dhe në shumicën e rasteve përfundoja me gjobë trafiku. Kjo vazhdoi deri në vitin 2012, kur Prishtina arriti marrëveshje me Beogradin që këta patentë shoferë ligjërisht të zëvendësoheshin ata të Kosovës, pa patur nevojë të përsëritej i gjithë procesi.

Më interesoi të kuptoja si kishte ndikuar kjo marrëveshje tek romët tjerë në Kosovë, kështu që pyeta përreth dhe historia filloi të më tingëllonte si e njohur. Një mik i mirë i imi nga jugu i Mitrovicëskishte një përvojë të ngjashme. Ai ishte larguar nga Kosova për Itali si refugjat në vitin 1999. Pas kthimit të detyruar në vitin 2009, kishte vetëm letërnjoftim të Jugosllavisë. Ai ia doli të nxirrte certifikatën dhe letëtnjoftimin e ri nga Serbia, por këto nuk iu pranuan nga autoritetet e Kosovës. Pa dokumente të Kosovës ai nuk mund të regjistronte djalin e tij dhe mundësia e ndalimit nga policia, për çfarëdo arsye, ishte shumë stresuese. Një OJQ u përpoq ta ndihmonte, por procesi u zvarrit me vite. Në vitin 2013 autoritetet komunale të Kosovës arritën ta gjejnë atë në sistem dhe ia dhanë një certifikatë të lindjes që i mundësoi atij të marrë letërnjoftimin e Kosovës.

Pra, është e qartë se ka pasur efekte të prekshme të dialogut teknik dhe kur dikush e kupton se ka  pasur kaq shumë përvoja të ngjashme, mund të filloj të çmoj ndikimin pozitiv. Megjithatë, institucionet e Kosovës duhet të informojnë në mënyrë të mjaftueshme përfituesit e këtyre marrëveshjeve; romët janë ende të privuar për shkak të mungesës së informacionit në nivel komunal dhe përfaqësimit të dobët në nivel qendror. Vlerat e një vendi kuptohen më së miri nga trajtimi i pakicave. Përfshirja e romëve me më shumë përgjegjësi, bashkëpunim, hapësirë dhe më shumë mundësi duhet të krijojë një rrugë më të fortë për një Kosovë të pozicionuar më mirë. Një shoqëri është e fuqizuar aq sa janë të fuqizuara grupet e saj më të pafavorizuara. Sa më shumë njerëz kontribuojnë në zhvillimin e Kosovës, aq më mirë do të jetë.

Avni Mustafa u lind në Plemetinë, Kosovë në vitin 1987. Avniu është aktivist dhe trajner i të drejtave të njeriut. Si aktivist i ri ai ka punuar si menaxher i OJQ-së lokale Romano Resaipe. Gjatë kësaj kohe, ai botoi një libër me titull “Nevojat dhe problemet e romëve, ashkalive dhe egjiptianëve në komunën e Obiliqit”. Ai ka punuar si gazetar në Transmetuesin Publik të Kosovës dhe është  regjisor i filmit të shkurtë dokumentar “Udhëtimi ynë”. Gjithashtu, ka qenë i përfshirë në Këshillin për Komunitete, Rolling Film Festival dhe Balkan Sunflowers Kosova. Aktualisht, Avniu është Drejtor i Roma Versitas Kosovë.

Ky artikull është prodhuar me asistencë financiare të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë dhe Bashkimit Evropian.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group signed a cooperation agreement with the Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, to support the new project - Advancing the European Agenda for Kosovo: Consolidating Peace Institutions and EU-Related Reforms. This project aims to strengthen…

3

Load More