Me rastin e 15-vjetorit të Kushtetutës së Kosovës, Grupi për Ballkan ka organizuar konferencën “Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës”. Në këtë ngjarje, Grupi për Ballkan prezantoi dy raporte:
- Analizë gjithëpërfshirëse e Kushtetutës së Kosovës, e cila ofron një analizë të gjerë të çështjeve kushtetuese të lidhura me sistemin e ligjeve, funksionimin e institucioneve dhe juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese. Kjo analizë ligjore identifikon mangësitë dhe rekomandon shumëllojshmëri opsionesh për amendamentet e ardhshme, bazuar në praktikën gjyqësore, opinionet e Komisionit të Venecias, dhe praktikat më të mira të vendeve të tjera.
- Kosova dhe Këshilli i Evropës: Rruga drejt anëtarësimit, e cila analizon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropes (KE), duke përfshirë kriteret për anëtarësim, hapat procedural dhe sfidat e mundshme. Kjo analizë ofron një pasqyrë të garancive kushtetuese, përparimin e Kosovës në zbatimin e tyre dhe kërkesat e mundshme për Kosovën, para ose pas anëtarësimit në KE.
Drejtori ekzekutiv i Grupit për Ballkan, Naim Rashiti, potencoi se gjatë këtyre 15 viteve, Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese kanë dëshmuar themelin e demokracisë, zgjidhjen e shumë krizave dhe ruajtjen e bilancit të pushteteve. “Grupi për Ballkan gjatë vitit të kaluar ka punuar një analizë e cila thekson ekzistencën e nevojës për intervenime. Njëzet e një (21) çështje të detajuara në këtë raport ndahen në grupe. Ne besojmë që ky punim mund t’u shërbejë të gjithëve”, tha ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u shpreh e lumtur që në këtë përvjetor të Kushtetutës po diskutohet mes profesionistësh lidhur me implementimin e Kushtetutës përgjatë pesëmbëdhjetë (15) viteve të fundit dhe nevojat për shqyrtimin e saj. “Gjatë këtyre 15 viteve, Kushtetuta jonë ka pësuar shumë ndryshime, veçanërisht në kuadër të obligimeve ndërkombëtare të vendit tonë, në kornizën institucionale, si dhe mënyrën se si ato kanë ndërvepruar në të kaluarën. Kemi nisur historinë e saj me institucione ndërkombëtare që mbikëqyrnin pavarësinë e institucioneve tona, e të cilat u larguan me vendim të vendit tonë” tha ajo. Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glaujk Konjufca, tha se Kosova është projekt ndërkombëtar e vendor, derisa kushtetutshmëria e saj është ende në formësim e sipër.
Ambasadori i Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl, tha se rishikimi i Kushtetutës është i rëndësishëm dhe gjatë këtij procesi, përfshirja e të gjithë personave përgjegjës është e domosdoshme. “Shqyrtimet dhe reformat kushtetuese janë të rëndësishme. Kështu është edhe në vendin tim. Kemi kënaqësinë që na lejoni që të ju ndihmojmë. Tashmë është koha që të hapim një debat produktiv. Që nga miratimi i Kushtetutës, Kosova ka qenë e përkushtuar që ta ruajë rendin demokratik dhe ka bërë shumë ndryshime. Dispozitat e reja kushtetuese e ligjore kërkojnë edhe një konsensus të përgjithshëm politik. Mendoj që serioziteti që i kushtohet këtij procesi është i rëndësishëm”, tha ai.
Kryetarja e Gjykatës Kushtuetuese, Gresa Caka-Nimani, tha se analiza të tilla si ato të publikuara nga Grupi për Ballkan, janë të rëndësishme në shtetin e të drejtës. “Një analizë e tillë duhet medoemos t’i nënshtrohet një debati të gjerë e të vazhdueshëm publik, sepse vetëm përmes një diskutimi të hapur e publik, do të mund të jetësohet teoria e lidhur me shtetin e së drejtës”, tha ajo. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese po ashtu vuri theksin në tri çështje që duhet të diskutohen, e që ndërlidhen me normat kushtetuese, me rendësinë e stabilitetit të rendit juridik si dhe lidhur me simbolikën që kjo Kushtetutë ngërthen.
Profesori dhe ish kryesuesi i grupit për hartimin e Kushtetutës, Hajredin Kuçi, tha se Kushtetuta duhet të ndryshojë dhe se ajo nuk duhet të jetë pengesë e zhvillimit të shtetit. “Ne kemi qenë të vetëdijshëm për punën që kemi bërë. E para ka qenë që të respektojmë vullnetin e qytetarëve për një shtet sovran dhe të pavarur. Kemi qenë të kujdesshëm që të mos cenohet vullneti i shumicës por t’i përfshijmë edhe të drejtat e komuniteteve, dhe kjo ka qenë një vijë e hollë që të mos dëmtohet edhe funksionalizimi i shtetit të Kosovës, si dhe t’u gjejmë vend edhe misioneve ndërkombëtare. Në atë kohë kemi marrë shumë sugjerime nga ekipet vendore, por në hartimin e Kushtetutës, ekspertët e huaj kanë qenë kujdestarë të obligimeve ndërkombëtare dhe në pjesët e tjera, duart tona kanë qenë të lira. Unë mendoj që kjo Kushtetutë ka përcaktuar vlerat e shoqërisë tonë në atë kohë dhe të cilat i kanë qëndruar edhe sot e kësaj dite kohës”.
Ky aktivitet dhe analizat e publikuara përkrahen nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë.