Konferenca për “Dekadën e ardhshme të Kosovës: Avancimi i reformave, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian”

4 maj 2018 – Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG), në bashkëpunim me Demokracinë për Zhvillim (D4D) dhe Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), zhvilloi një konferencë të nivelit të lartë për “Dekadën e ardhshme të Kosovës: Avancimi i reformave, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi evropian”. Përqendrimi i konferencës ishte avancimi i shtetndërtimit të Kosovës: forcimi i institucioneve dhe përshpejtimi i reformave, Strategjia e BE-së për Zgjerim: Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor dhe dialogu me Serbinë drejt marrëveshjes përfundimtare. Kjo ngjarje nisi forumin e politikave të grupit të ekspertëve (BPRG, D4D, QKSS) – një platformë e re për shoqërinë civile për t’i bashkuar forcat në përshpejtimin e reformave që nevojiten shumë në Kosovë.

Naim Rashiti, Drejtor Ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan, në fjalën e hapjes, theksoi se platforma e forumit të politikave të grupit të ekspertëve do ta avokojë dhe mbështesë ndërtimin e shtetit, bërjen e reformave, bashkëpunimin rajonal dhe proceset e integrimit evropian. Këta elementë paraqesin misionin e forumit.

Hashim Thaçi, Presidenti i Republikës së Kosovës, në fjalën e tij deklaroi se titulli i konferencës është shumë substancial dhe thelbësor që ka dy anë të rëndësishme dhe njëkohësisht është jashtëzakonisht e domosdoshme dhe e pashmangshme për të ardhmen politike të Kosovës. Ai shprehu besimin se javët dhe muajt e ardhshëm do të jenë vendimtarë në shumë aspekte, përfshirë konsolidimin dhe forcimin e shtetit të Kosovës. Presidenti Thaçi falënderoi shoqërinë civile për mbështetjen që po ua jep proceseve të rëndësishme për Kosovën.

Ambasadori norvegjez, Per Strand Sjaastad, pohoi gjatë fjalës së tij se Kosova duhet ta përfundojë kapitullin e tranzicionit në dekadën e ardhshme dhe të përpiqet ta ndërtojë një vizion të përbashkët për të ardhmen. Adresimi i suksesshëm i marrëdhënieve me Serbinë dhe lufta kundër korrupsionit do ta hapin rrugën në të gjithë sektorët, tha ai.

Konferenca u nda në tri panele. Paneli i parë diskutoi Strategjinë e BE-së për Zgjerim dhe rëndësinë e Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor. Të përfshirë në panel ishin ministrat vendorë dhe rajonalë, zëvendëskryeministrat, ambasadorë dhe përfaqësues diplomatikë në Kosovë. Gjatë diskutimit, panelistët u pajtuan që bashkëpunimi rajonal midis shteteve të Ballkanit Perëndimor është jetik për integrimin evropian. Rëndësia e reformave në zhvillimin socio-ekonomik të vendeve aspiruese u theksua gjithashtu.

Paneli i dytë, i përbërë nga anëtarë të Grupit për politika dhe avokim Kosovë – Serbi (KSPAG), një konsorcium i tetë OJQ-ve të të njëjtit mendim nga Kosova e Serbia diskutuan për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve drejt marrëveshjes përfundimtare. Ky panel diskutimi theksoi se Strategjia e Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor mund të shërbejë si pikë stimuluese për të dy qeveritë që të përfshihen në fazën e re të dialogut, e cila duhet të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme.

Të pranishëm në panelin e tretë me temën “Projektimi i dekadës së ardhshme të Kosovës: Çfarë ngjarjesh me rëndësi të presim?” ishin: Kryeministri, Kryetari i Kuvendit dhe zyrtarë të lartë të partive politike. Ky panel u pajtua se dekada e dytë duhet ta gjejë Kosovën të integruar në Bashkimin Evropian, pjesë të OKB-së, si dhe një përfundim me Serbinë. Ata gjithashtu theksuan se çelësi për t’i kapërcyer sfidat e mëdha është konsensusi i gjerë politik.

Organizatat e shoqërisë civile dhe pjesëmarrës të tjerë në këtë ngjarje patën mundësi të ndërveprojnë me anëtarët e paneleve dhe t’i japin komentet e tyre për temat e adresuara. Kjo konferencë shërbeu si platformë për inkurajimin dhe thellimin e debatit për temat që kërkojnë konsensus kombëtar. Forumi i Politikave të grupit të ekspertëve mbështetet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës (DANIDA), menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group signed a cooperation agreement with the Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, to support the new project - Advancing the European Agenda for Kosovo: Consolidating Peace Institutions and EU-Related Reforms. This project aims to strengthen…

3

Load More