Naim Rashiti, analist dhe drejtor i Grupit Ballkanik për Politika tha se kuota gjinore duhet të rritet dhe të shtrihet në institucione të ndryshme dhe jo vetëm në Kuvend.
Ai tha se janë duke punuar që edhe Qeveria të ketë kuotë gjinore, duke përfshirë gratë në ministri e komisione.
“Kanë kaluar 20 vjet dhe gjeneratat e reja nuk e kanë idenë se çfarë ka ndodhur dhe mendoj se duhet të dalim jashtë fushatave dhe të marrim vendime konkrete për përfaqësim gjinor, duhet që ndryshimi të fillojë me përfaqësimin e grave ne institucione.
“Kuota duhet të hyjë edhe në ligjin për Qeverinë, në të gjitha ato ministri duhet të ketë caktim kuote për secilën ministri, presidenca duhet të marrë iniciativa të ndryshme me fushata dhe ajo ka obligim për këtë përfaqësim të drejtë,” vazhdoi ai. “Qytetarët e këtij vendi kërkojnë më shumë ministra, sekretar permanent e nëpër ekip negociator e për kualitet të flasim më vonë, ne po lodhemi duke e ftuar vetëm Dhuratën nëpër konferenca se vetëm ajo, sikur të kishte pasur më shumë gra kishim pas ma shumë mundësi”, tha Rashiti.
Ky diskutim i organizuar për shënimin e 20 vjetorit të Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë për Ditën Globale të Kosovës u mbajt në Prishtinë.
Debati, i cili mbulon një sërë çështjesh lokale, rajonale dhe globale, mblodhi rreth 200 pjesëmarrës, duke përfshirë ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, udhëheqës të shoqërisë civile dhe politikanë për të diskutuar rolin e grave në pozita udhëheqëse, duke u angazhuar në debatin mbi reformën ligjore në Kosovë drejt drejtimit barazisë gjinore.
Dita e Hapur Globale e Kombeve të Bashkuara, e organizuar nga OKB dhe Zyra e BE-së në Kosovë, ofron një platformë ku zërat e grave mund të dëgjohen dhe ofrojnë mundësi për të rishikuar zbatimin e Rezolutës 1325, e cila implikon vendet për të përfshirë gratë në të gjitha nivelet vendimmarrëse.
Burimi: https://kallxo.com/shkurt/naim-rashiti-kuota-gjinore-duhet-te-jete-kusht-ne-te-gjitha-institucionet/