Nëpërmjet FSK-së, Beogradi e komplikon dialogun

Në prag të fazës finale të dialogut Kosovë – Serbis, e cila duhet të përfundojë me një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Beogradi zyrtar po përpiqet që me çdo kusht ta pengojë pjesamrrjen e serbeve në këtë forcë, përmes presionit ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, thonë njohësit zhvillimeve politike, shqiptarë dhe serbë.

Ditëve të fundit, rreth 20 pjestare serbe të FSK, nga rajoni i Gjilanit, në mënyrë kolektive kanë parashtruar kërkesat për t’u tërhequr nga kjo forcë, për shkak të presioneve nga Beogradi.

Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik për Politika në Kosovë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson që arritja e një marrëveshjeje, me të cilën do të normalizoheshin plotësisht raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të hapte rrugën që transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të bëhet në formë krejtësisht juridike, si dhe t’i përfshinte pjesëtarët e të gjitha komuniteteve.

“Në prag të një dialogu të vështirë, serbët janë duke investuar gjithçka që ta bëjnë procesin sa më të komplikuar, ashtu që të mund të formohen parametra të rinj, qoftë për formimin e ushtrisë, qoftë për shtrirjen e saj, në veçanti në veri, qoftë edhe për kapacitetet e saj. Kështu që, strategjia e saj shkon përtej largimit të njerëzve nga ushtria e Kosovës. Është për të krijuar një situatë krejt tjetër, pothuajse nga pika zero, e negocimit të pozicioneve”, thekson Rashiti.

Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërkesën për braktisje të FSK-së, pjesëtarët serbë të kësaj force nuk e kanë bërë vullnetshëm, por nën presionin e Beogradit.

Sipas tij, vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas arrestimit në Kosovë të shefit të Zyrës për Kosovën të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriq, në fund të marsit të këtij viti, pati paralajmëruar masa dhe u kishte bërë thirrje serbëve në FSK që ta braktisin atë.

Arsyet, sipas tij, mund të jenë për qëllime afatshkurta dhe afatgjata të Serbisë.

“Qëllimi afatshkurta është që të forcohet pozicioni dhe të tregohet që Beogradi ka ndikim në Kosovë. Pra, që të përforcohet pozicioni në negociatat qëdo të jenë në vazhdimin e bisedimeve, sidomos për çështjen e Bashkësisë së komunave serbe. Qëllimi afatgjatë mund të jetë destabilizimi i Kosovës dhe krijimi i kushteve që Beogradi të mos jetë fajtori i vetëm ose përgjegjës në qoftë se arrihet deri te ndërprerja e këtij lloji të bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel”, thotë Janjiq.

Ai, gjithashtu, e sheh presionin e Beogradit zyrtar ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së vetëm si një veprim më shumë në politikën që po e ndjek karshi Kosovës. Ky, sipas tij, mund të jetë paralajmërim se Beogradi po përgatitet që ta braktisë dialogun e Brukselit, por që të mos fajësohet për këtë.

Lidhur me kërkesën e pjesëtarëve serbë të FSK-së që të lirohen nga kjo forcë, ka reaguar edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Greg Delawie. Nëpërmjet rrjetit social, Twitter, ai ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për “për dorëheqjet e fundit të pjesëtarëve serbë të FSK-së”.

“Frikësimi nga jashtë i pjesëtarëve të FSK-së është i papranueshëm. Diversiteti i FSK-së është një model për vendin. Ai duhet të kremtohet, e jo të shkatërrohet”, ka shkruar Delawie në Twitter.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj edhe të premten ka reaguar lidhur me, siç është thënë, presionin që Beogradi po bën ndaj pjesëtarëve serbë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

“Është e papranueshme ndërhyrja e tyre, kërcënimi dhe shantazhet, si dhe të gjitha ato veprime që i ndërmarrin ndaj qytetarëve serbë të Kosovës, pjesëtarëve të FSK-së”, ka thënë Haradinaj.

Në anën tjetër, Marko Gjuriq, shef i Zyrës për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, ka thënë të premten për mediat serbe se shteti i Serbisë, duke u bazuar në ligje, po e kundërshton formimin e, siç e ka quajtur ai, “një ushtrie të huaj” në Kosovë. Reagimet nga Prishtina zyrtare, ai i ka cilësuar si reagime nervoze.

“Në fakt, vetëm po tregojnë se sa janë ata nervoz për shkak të insistimit që të pengohet formimi i parakushteve për konflikte të reja, sepse ajo ushtri do të shërbente vetëm për konflikte të reja. Ajo u nevojitet që të kemi situatën, sikurse në kohën e luftërave austriake dhe turke, që serbi ta qëllojw serbin në atë ushtri”, ka thënë Gjuriq.

Por, Rashiti, shpreh mendimin se autoritetet e Serbisë ende nuk janë të sigurta se çfarë duan me veprimet e tanishme e që ndërlidhen me dialogun e ardhshëm me Kosovën.

“Një pjesë duan garanci shumëvjeçare që në veri të mos ketë pjesëmarrje, të mos paraqitet atje fare dhe që veriu të jetë jashtë kontrollit të territorit dhe shtrirjes së ushtrisë së re. Një pjesë tjetër mendon se duhet të ketë një komandë të veçantë. Nuk janë përcaktuar ende. E rëndësishme për ta është që të krijohet një kontekst, i cili kërkon negociata shtesë, pothuajse nga pika zero, përtej planit të cilin e ka paraparë Ahatisaari, të procesit të transformimit të Ushtrisë së Kosovës”, thotë Rashiti.

Ndërkq, Janjiq shpreh mendimin se presioni i Beogradit zyrtar ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së, mund të ketë efekte negative për vetë Beogradin.

“Në këtë rast, nuk po e respekton vullnetin, madje as të pjesëtarëve të bashkësisë së vet, që janë pakicë në Kosovë. Fundja, po tregon tendencën që Beogradi sërish po i ngacmon marrëdhëniet e saj me NATO-n, sepse, në fakt, NATO e kontrollon situatën në Kosovë”, vlerëson Janjiq.

FSK aktualisht kanë 103 pjesëtarë nga komuniteti serb ose 5 për qind nga numri i përgjithshëm i pjesëtarëve të kësaj force.

Institucionet e Kosovës mëtojnë që ta transformojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës, por për këtë gjë nevojiten ndryshime kushtetuese, përkatësisht mbështetja e deputetëve serbë në Kuvendit të Kosovës, të cilët tash për tash, janë kundër formimit të kësaj ushtrie.



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

The Berlin Process: Ahead of the summit, the @BalkansGroup, in cooperation with the @sudosteuropa and @AspenGermany, hosted an advocacy roundtable with SHERPAs, representatives of the WB governments, and civil society. 🇩🇪 and 🇳🇴 Envoys for WB contributed to the event.

Load More