Rashiti: Vuçiq po e përgatit opinionin për një marrëveshje finale me Kosovën

“Të arriturat e shtetësisë dhjetëvjeçare të Kosovës janë të mëdha në aspektin e konsolidimit të shtetit, qoftë ndërkombëtar, qoftë të brendshëm”, thotë Naim Rashiti, drejtor i Grupit Ballkanik të Politikave, me seli në Prishtinë.

Megjithatë, në intervistën për Radion Evropa e Lirë, ai konsideron se në dhjetëvjetorin e pavarësisë ka edhe pakënaqësi të mëdha të qytetarëve.

Deklaratat aktuale të zyrtarëve të Serbisë për ndarje të Kosovës, ai i konsideron si përgatitje për arritje të një marrëveshjeje finale me Kosovën.

“”Megjithatë, duke marrë parasysh faktin se shpallja e pavarësisë kishte ndodhur në një fazë shumë kritike në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare me Kosovën, ku një pjesë e faktorit ndërkombëtar refuzoi njohjen e Kosovës, ku Bashkimi Evropian nuk arriti të krijojë konsensus për njohjen në bllok të Kosovës, kur BE-ja kishte vendosur një mision të rendit dhe ligjit në Kosovë, i cili sillej në mënyrë të çuditshme në raport me statusin dhe institucionet, si neutrale ndaj statusit të Kosovës, dhe një mbikëqyrje ndërkombëtare, siç ishte përfaqësuesi ndërkombëtar, Kosova, megjithatë ka arritur suksese që të gjitha këto t’i lë anash dhe t’i marrë përgjegjësitë e plota në ndërtimin e institucioneve.
Por, duhet të thuhet troç se këto zhvillime nuk i kënaqin qytetarët e Kosovës, rininë e Kosovës në veçanti, që kanë pasur dhe kanë pritje shumë më të mëdha se kaq. Këtu është brenga më e madhe, por në të njëjtën kohë është edhe paradoksale meqë Kosova asnjëherë nuk ka pasur institucione dhe zhvillimet e dhjetëvjeçarit të kaluar nuk kanë mundur të parashikohen”.

Por, sipas tij, “ajo që mund të bëhet tani, është se duke e parë rrugëtimin dhjetëvjeçar, politika dhe institucionet të mendojnë dhe ta projektojnë drejt dhe kënaqshëm dhjetëvjeçarin tjetër. Nuk po shohim fare se kjo po ndodhë”.

“Pra, pakënaqësitë, përveç simbolikës së pavarësisë, me performancën e institucioneve dhe shtetit, mbeten të mëdha”.

Sipas Rashitit, të metat kryesore janë të ndërlidhura me konsolidimin e shtetit dhe shërbimin për qytetarët.

Siç thotë ai, shëndetësia dhe arsimi mbeten fusha të dërmuara, jofunksionale, që nuk ofrojnë shërbime të kënaqshme për qytetarët, familjarët, prindërit, për nxënësit, për njerëzit në nevojë.

“Në fakt, shëndetësia ndoshta mbetet institucioni më i korruptuar në Kosovë. Pastaj radhiten rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit, funksionimi i drejtë i institucioneve dhe natyrisht shkalla e ulët e zhvillimit dhe përmirësimit të zhvillimit ekonomik, politika, e cila mbetet e pazhvilluar, e pakonsoliduar, dhe në njëfarë mënyrë, qytetarët shohin pak shpresë për transformim të drejtë në skenën tonë politike, që kanë impakt drejtpërdrejt në funksionimin e institucioneve”.

“Këtu kemi edhe çështjen e liberalizimit të vizave me BE-në, por fakti se edhe dhjetë vite pas pavarësisë, Kosova ende duhet të zhvillojë negociata me Serbinë, e natyrisht se duhet, kjo i irriton tej mase qytetarët e Kosovës”.
Këto, sipas Rashitit edhe janë brengat kryesore, të cilat e kanë ulur në një formë, entuziazmin qytetar dhe i kanë rritur pakënaqësitë për zhvillimet në Republikën e Kosovës, në këto dhjetë vite.

Duke folur për liberalizimin e vizave, përkatësisht kërkesën e BE-së për plotësim të kushteve, veçanërisht ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Rashiti vlerëson se çështja e Demarkacionit tregon më tepër se kaq.

Kjo për faktin se sipas tij, tregon më shumë për paaftësinë e politikës në institucione për t’i menaxhuar proceset deri diku të komplikuara për t’u dhënë përgjigje.

“Duket se politika sikur tenton që çdo çështje të vështirë ta lë anash… dhe çështje të vështira do të ketë vazhdimisht në agjendën e shtetbërjes së Kosovës”, ka shtuar tutje Rashiti.

Në intervistën e tij për REL, Rashiti ka folur edhe rreth deklaratave me të cilat kërkohet marrëveshje për ndarje me Kosovën.

“Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e përgatit opinionin për një marrëveshje finale me Kosovën, për ta kapur procesin integrues. BE-ja i ka dhënë shpresa të mëdha dhe i ka hapur dyert për Serbinë, që në vitin 2025 të bëhet anëtare e saj dhe për këtë duhet ta zgjidhë çështjen me Kosovën deri në vitin 2023.
Me gjasë, presidenti Vuçiq don ta shfrytëzojë këtë momentum për ta përmbyllur marrëdhënien me Kosovën, natyrisht, varësisht nga ajo se çfarë mund të arrihet”.

“Por, opsionet e tyre të preferuara mbesin shumë të qarta për ndarje dhe shkëmbim territoresh, kryesisht për faktin se Serbia nuk don ta pranojë pavarësinë ashtu siç është ndërtuar në vitin 2008, por ta pranojë një realitet pak më ndryshe në terma ashtu siç dëshiron Beogradi”.

“Rreziku është se Serbia do të vendos shkëmbim territoresh në tavolinë për njohje, si një ofertë për perëndimin, e cila në fund mund të refuzohet dhe prapë Serbia do ta akuzojë perëndimin se nuk don zgjidhje të çështjes së Kosovës, ose në rastin më të mirë, në kundërvlerë ndaj propozimit për këmbim territoresh, të vendos një status të veçantë, të sforcuar edhe më tutje për serbët e veriut dhe Kishën, të cilën gjë, prapseprap, shqiptarët e Kosovës nuk do ta pranojnë”, ka thënë ndër tjerash Rashiti. /Telegrafi/



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

🇽🇰 #Kosovo made a significant step toward joining the Council of Europe (CoE). It is now up to the CoE to acknowledge Kosovo's readiness for membership.
For more insight on Kosovo's CoE accession process, see Balkans Group policy report. ⤵️

Load More