Rinia, Marreveshjet dhe Dialogu

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili ishte iniciuar në vitin 2011, synon të nxisë bashkëpunimin ndërmjet qeverive, të mbështesë rrugëtimin e tyre drejt BE-së dhe të përmirësojë jetën e njerëzve në të dy anët. Rrjedhimisht marrëveshjet e arritura gjatë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndikojnë në jetën e të rinjve. Zbatimi I këtyre marrëveshjeve u ofron të rinjve, kryesisht atyre që jetojnë në Kosovë, mundësi për të gëzuar të drejtat e tyre civile, politike, sociale, ekonomike dhe kulturore. Sipas burimeve zyrtare (http://ask.rks-gov.net), 65 për qind e njerëzve në Kosovë janë nën moshën tridhjetë vjeçare, ndërsa në Serbi (http://www.stat.gov.rs), ky numër është rreth 30 për qind.

Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja adresoi disa tema të rëndësishme që ndikojnë rininë; njohja e diplomave universitare ishte ndër temat e para të diskutuara në Bruksel në vitin 2011. Marrëveshja përcakton një procedurë me dy shkallë për validimin e diplomave universitare. Në shkallën e parë kryhet verifikimi teknik i diplomës, duke u siguruar që është lëshuar nga një institucion i akredituar; ndërsa në fazën e dytë, diploma vërtetohet nga një grup ekspertësh. Të rinjtë, kryesisht në Serbinë jugore, kishin pritje të mëdha për njohjen e diplomave. Për shkak të mundësive të kufizuara të arsimit universitar në gjuhën shqipe në Serbi, shumica dërrmuese e tyre studiojnë në Kosovë, por me kalimin e viteve diplomat e tyre nuk pranoheshin. Punësimi i të rinjve të komunitetit shqiptar në Serbi ishte i pamundur pa një diplomë të pranuar, gjë që ishte një nxitje e fortë për ata të largoheshin nga vendi.

Ngjashëm, diplomat e serbëve të rinj nuk u njohën zyrtarisht në Kosovë, megjithëse ata ishin në gjendje të punësoheshin në institucione. Në Serbi, procesi i verifikimit të diplomave u kundërshtua nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2014, me të cilin u konstatua që marrëveshja ishte jokushtetuese. Megjithatë, në maj të vitit 2016, të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi ranë dakord të rifillojnë zbatimin e marrëveshjes për njohjen e diplomave; edhe pse ende ekzistojnë probleme. Raporti “Arsimimi në Gjuhën Serbe dhe Verifikimi i Diplomave në Kosovë” i publikuar në maj të vitit 2018, tregon se statusi i Universitetit të Mitrovicës së Veriut, institucion i lartë në Kosovë që ofron studime në gjuhën serbe, ka mbetur i pazgjidhur. Megjithatë, me ndihmën e Qendrës Evropiane për Çështje të Pakicave në Kosovë dhe me mbështetjen e BE-së, Ministria e Arsimit e Kosovës ka krijuar procedura verifikimi që u mundësojnë serbëve të Kosovës të ju njihen kualifikimet për punësim. Në shkurt të vitit 2018, Ministria pohoi se ishin verifikuar rreth 1200 diploma të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Marrëveshja për kthimin e kopjeve të certifikuara të librave të Regjistrit Civil nga Serbia është njëra nga ato marrëveshje që nuk i ka si synim primar të rinjtë, por mund të ketë një ndikim jetësor në mundësitë e punësimit të tyre. Edhe pse procesi i kthimit të librave të Regjistrit Civil ishte i ngadalshëm dhe i ndërlikuar, me të është lehtësuar qasja e qytetarëve të Kosovës në dokumentet e tyre civile duke u mundësuar atyre që të marrin kopjet e dokumenteve të tyre pa qenë nevoja të udhëtojnë në Serbi. Marrëveshja ka lehtësuar procedurat e regjistrimit civil për komunitetin serb dhe të tjerët, veçanërisht në veri të Kosovës. Të rinjve që jetojnë në komunat veriore u ofrohet mundësia për të marrë dokumentet e Kosovës dhe për të gëzuar shërbimet në dispozicion, siç janë për shembull mirëqenia sociale, punësimi, transferimit të pronësisë, regjistri bankar dhe financiar dhe transaksionet, patentë shoferët dhe përfitimet tjera.

Marrëveshja e lirisë së lëvizjes ka prekur drejtpërdrejtë të rinjtë. Ajo çrrënjosi pengesat ekzistuese për mobilitetin midis Kosovës dhe Serbisë dhe u mundësoi njerëzve të kalojnë nëpër ose të vizitojnë “anën tjetër”, duke kaluar vetëm me letërnjoftim. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka mundësuar vizita shkëmbyese dhe pjesëmarrje të të rinjve nga të dyja anët në projekte të ndryshme, programe shkëmbimi, vizita studimore dhe kulturore. Numri I të rinjve nga Kosova që vizituan Serbinë dhe anasjelltas, për shumicën e tyre për herë të parë në jetën e tyre, ka shënuar rritje. E këto shkëmbime janë dëshmuar të jenë mjaft të dobishme; shumica e pjesëmarrësve deklaruan se para se të takoheshin me të rinj nga “ana tjetër” ata kishin paragjykime, që vijnë kryesisht nga informatat e njëanshme në media. Kontaktet e drejtpërdrejta të të rinjve nga të dyja anët ishin një mundësi për të nisur rrënimin e imazheve armiqësore, për të ndërtuar miqësitë dhe rrjetet dhe për të thelluar bashkëpunimin.

Zbatimi i Marrëveshjes për përfaqësimin rajonal të Kosovës dhe Marrëveshjes për lirinë e lëvizjes siguroi hapësirën për funksionim efektiv të Zyrës rajonale për bashkëpunim rinor (RYCO). Deri më tani, RYCO ka mbështetur dy projekte nga Serbia me së paku një organizatë partnere nga Kosova, tri projekte nga Kosova me së paku një organizatë partnere nga Serbia dhe gjashtë projekte nga vende të tjera të rajonit, të cilat kishin organizata partnere nga Kosova dhe Serbia. Shkëmbime të tilla krijuan mundësi për organizatat partnere nga Kosova që të përfaqësohen në iniciativat rajonale dhe të ndërtojnë partneritete rajonale, përfshi organizatat nga Serbia.

Përkundër disa përfitimeve për të rinjtë nga procesi i dialogut, përfshirja e perspektivës së të rinjve në këtë proces është e një rëndësie të veçantë dhe ende mungon. Të dy qeveritë duhet të marrin në konsideratë çështjet që janë me rëndësi për rinjtë, si p.sh. pamundësia e një shqiptari të ri nga Kosova për të marrë pjesë në një konferencë ndërkombëtare të rinjve në Serbi ose Bosnjë e Hercegovinë, që do të duhej të ishte një shqetësim i menjëhershëm për ekipet e dialogut. Të rinjtë duan të kenë mobilitet të plotë, të udhëtojnë, rrjetëzohen dhe bashkëpunojnë, jo vetëm në mes të njerëzve të Kosovës dhe Serbisë, por nga i gjithë rajoni. Kjo flet në favor të përfshirjes së të rinjve në dialog, që do të ofronte një ritëm aktiv, do të përshpejtonte procesin e gjetjes së zgjidhjeve praktike dhe njëkohësisht do të sillte perspektiva të reja, të cilat aktualisht duket se janë mjaft të nevojshme. Duke u lejuar të rinjve të shprehin mendimet e tyre për çështje të rëndësishme siç janë arsimi, punësimi, shëndetësia, siguria, mjedisi, konektiviteti dhe të tjera, të mund të ngriheshin çështje të cilat nuk u prekën më parë nga dialogu, por gjithashtu të ofroheshin zgjidhje inovative.

Nëpërmjet rrjetëzimeve dhe shoqatave, të rinjtë potencialisht do të mund të dilnin me zgjidhje kreative se si të trajtohen edhe çështjet më të ndjeshme, siç janë librat shkollor në shkollat kosovare dhe serbe, dhe kështu të kontribuonin në afrimin e shoqërive. Të rinjtë e përkushtuar për të punuar në zhvillimin e paqes së qëndrueshme mes Kosovës dhe Serbisë, mund të sjellin shumë në dialog dhe në zbatimin e marrëveshjeve, e në të njëjtën kohë të përfitojnë nga ai duke i adresuar çështjet urgjente për ata.

Ky publikim është prodhuar me asistencë financiare të Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Ambasadës së Mbretërisë Norvegjeze në Kosovë.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group signed a cooperation agreement with the Swedish International Development Cooperation Agency – Sida, to support the new project - Advancing the European Agenda for Kosovo: Consolidating Peace Institutions and EU-Related Reforms. This project aims to strengthen…

3

Load More