“A mos flasin gratë me ndonjë zë tjetër në politikën kosovare?”

Loresa Statovci, Fituese e konkursit për esenë më të mirë

Paramendojeni se jetoni në një shtet të Evropës Juglindore, me një popullsi prej afro 1.8 milionë banorëve. Është ky një shtet në zhvillim, në fazën e pas-konfliktit, në të cilin të rinjtë përbëjnë shumicën e popullsisë (sepse 53% e popullsisë janë nën 25 vjeç). Ju dëshironi të bëheni politikan, prandaj edhe i keni përfunduar studimet master në Shkenca Politike. Por, pasi ta keni hedhur lartë kapelën tuaj të diplomimit, keni nisur të punoni si kamarier, për të fituar kështu të ardhura shtesë për ju dhe familjen tuaj – të cilën gjë e konsideroni plotësisht në rregull; fundja, askund nuk pati ndonjë shkrim të shenjtë që garantonte se do të punësoheshit në politikë menjëherë pas diplomimit.

Pasi të ktheheni nga puna, e ndizni televizorin dhe e shihni shokun tuaj nga shkolla e mesme, i cili tani është këshilltar politik i kryeministrit; dhe mendoni vetë me vete, a nuk është ky duke i  ndjekur studimet baçelor në Teknologji Ushqimore?

Papritmas, shoku juaj; i cili ka shtetësi të dyfishtë, ju telefonon dhe me shumë entuziazëm ju njofton se i ka siguruar dy bileta për Paris, ngase synon ta vizitojë vendin ku u themelua Bashkimi Evropian – gjë që rastësisht i bie të jetë fusha juaj kryesore e interesit – dhe atë me çmimin e një xhupi. Pushtoheni nga energjia e tij. Jeni aq të emocionuar, sepse më në fund diçka po ju shkon si duhet, por vetëm deri atëherë kur ju bie ndërmënd se nuk keni vizë për të udhëtuar në Evropë.

E tash, paramendojeni tërë këtë skenar, por nga këndvështrimi i një gruaje.

Kundërthënia në politikën kosovare ka të bëjë me faktin se shprehja “gjithpërfshirje shoqërore” paraqet një pjesë bukur të madhe të ligjërimit politik, nga njëra anë, ndërkohë që si për ironi, padrejtësia shoqërore dhe margjinalizimi i grave hasen bashkë pothuaj në çdo fushë, nga ana tjetër.

Pjesëmarrja e grave në politikëbërje në Kosovë sigurohet përmes Ligjit Nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore. Ky ligj sugjeron se ‘përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha nivelet  legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, si dhe në institucionet tjera publike, arrihet përmes  garantimit të përfaqësimit minimal (50%) për të dy gjinitë, përfshirë këtu edhe organet drejtuese dhe vendimmarrëse’.[1] Një përmbledhje e asaj se si funksionon ligji në praktikë mund të nxirret nga studimi i përfunduar në vitin 2015 i Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, sipas të cilit, 28% e të punësuarve asokohe nëpër komunat kosovare ishin gra. Vetëm 5.2% të pozitave drejtuese në qeveri drejtoheshin nga gratë, ndërkohë që vetëm 19 prej 52 pozitave udhëheqëse në kuvend kryesoheshin nga gratë.[2]

Mungesa e grave në pozita vendimmarrëse mund të jetë pasojë e këmbënguljes në rëndësinë e roleve gjinore, si rezultat i së cilës mendësi roli i ‘politikanit’ iu përcaktohet vetëm meshkujve. Stereotipet bazohen në idenë se meshkujt janë të lindur si udhëheqës më të mirë se gratë. Koncepti ‘ndarja paraqet kujdes’ nuk është i zakonshëm në familjet kosovare. Kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë iu përcaktohen rregullisht grave, gjë që, krahas pushimit të shkurtër të lehonisë, shkaktojnë pengesa për avancimin e grave në pozita vendimmarrëse.

Mund të thuhet se sistemi politik në Kosovë bazohet në meritokraci, andaj edhe nënkuptohet se njerëzit që fitojnë vota publike dhe besimin e shumicës janë ata që “i kolonizojnë” pozitat udhëheqëse. Ky do të ishte një pohim i drejtë po të kishim një fushatë të drejtë elektorale ku gratë kanë mundësi të barabarta me meshkujt për prezantimin e programit partiak, strategjive të tyre qeverisëse dhe/apo aftësive drejtuese. Mirëpo, në vitin 2017 u dëshmua e kundërta, sepse 810 folësit që folën në tubime publike elektorale në Kosovë ishin meshkuj (89%) dhe 217 (21%) ishin gra, përderisa vetëm 10% e audiencës në këto tubime ishin gra.[3] Ky fakt pasqyron ‘rrugën drejt diskriminimit’ të grave, e cila rrënjët i ka në strukturat e brendshme të partive politike, dhe e cila kurrë nuk dështon të pasqyrohet edhe në organet vendimmarrëse të nivelit qendror.

Njëra prej strategjive që partitë politike në Kosovë e përdorin zakonisht për shumëfishimin e përkrahësve të tyre është përpjekja e tyre për ta fituar besimin e pakontestueshëm të opinionit publik se partia (e caktuar politike) po punon në përputhje me vlerat evropiane. Duke e marrë parasysh këtë fakt, nuk është e habitshme që partitë politike janë të gatshme ta zbatojnë Ligjin Nr. 03/L-073, i cili sugjeron se 30% e anëtarëve të një partie politike duhet të jenë gra. Truku këtu është se pozita e grave brenda partive politike nuk është e rregulluar, njësoj sikurse as demokracia e brendshme partiake.[4] Rrjedhimisht, nuk ekziston ndonjë garancë se roli i garës brenda partive politike do të jetë relevant, e jo vetëm formal.  

Kjo edhe njëherë na sjellë brenda debatit ekzistues kontrovers lidhur me kuotat; për një numër apo përqindje specifike të vendeve që iu përkasin grupeve të nënpërfaqësuara.[5]

Sipas ish-komisioneres evropiane, Viviane Rering, askujt s’ka nevojë t’i pëlqejnë kuotat, por e tëra që duhet bërë është të zbatohen rezultatet që dalin prej tyre. Por, ka edhe asi që besojnë se kuotat janë vetëdiskriminuese, për shkak se ato ndikojnë në gjykimin e votuesve, por edhe i pengojnë partitë që të bëjnë përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre më të mirë.[6] Të dy palët pajtohen se problemi real ka të bëjë me patriarkatin mijëvjeçar, i cili paraqet pengesë për aspiratën e grave që t’i bashkohen politikës, edhe pse palët nuk pajtohen se kuotat janë mjeti i duhur që komuniteti politik duhet ta përdor për trajtimin e këtij problemi.

Një tjetër fakt shqetësues është edhe pjesëmarrja e ulët e grave në proceset e dialogut dhe ndërmjetësimit. Po të lexohen lajmet, numri i grave tejet aktive në procesin e ndërtimit të paqes del të jetë inkurajues. Nga ana tjetër, kur flitet për përfshirjen e graave në proceset e ndërmjetësimit dhe dialogut, aktivizmi që dikur ishte goxha frymëzues del të jetë pothuajse i padukshëm. Kosova mund të pretendojë se qëndron mirë në këtë fushë, por vetëm nëse si pikë referimi merret Bosnja. Dikush edhe mund ta pohojë një gjë të tillë, po të merret parasysh fakti se në tavolinën e negociatave në Dayton, në vitin 1995, nuk kishte fare graa, përderisa pjesë e negociatave të disa viteve më vonë në Rambouillet, ishte një grua.[7] Fakti që ish-shef i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë ishte një femër u konsiderua fillimisht si përmbushje e synimit historik për integrimin e graave në proceset e ndërtimit të paqes. 

Si rrjedhojë, aktivistët për të drejtat e grave nuk u përfshinë fare në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, përkundër faktit se pati kërkesa të shumta nga ana e OSHC-ve në këtë drejtim.[8] Delegacioni për dialog Kosovë-Serbi është krijuar në vitin 2018. Pjesë e atij delegacioni nuk ishte asnjë femër.[9] Ky vendim i pakujdesshëm i Qeverisë së Kosovës përcolli mesazhin se paqja mund të arrihet edhe atëherë kur pikëpamjet e gjysmës së popullsisë përjashtohen nga tavolina e negociatave.

Përparimi në fushën e përfaqësimit dhe pjesëmarrjes së graave duhet të jetë sistematik dhe i përhershëm. Historia politike e Kosovës dëshmoi se të njëjtat gra që nëpërmjet kuotave arritën të bëheshin anëtare të kuvendit, gjatë karrierës së tyre të mëvonshme politike e tejkaluan konkurrencën dhe u zgjodhën me vota të publikut. Kjo gjë tregon se, kur avancimi i grave është qëllim i shoqërisë dhe i institucioneve, kuotat bëhen të parëndësishme dhe të panevojshme. Periudha e vetme e sigurt për largimin e plotë të kuotave është kur ato bëhen të panevojshme, ndonëse për arritjen e këtij qëllimi ekziston parakushti që sugjeron avancimin e pakthyeshëm të graave në politikë.

Pjesëmarrja e barabartë e grave në politikë paraqet momentin kryesor të konsolidimit të demokracisë. Pjesëmarrja e grave në vendimmarrje duhet të fillojë nga familja, të vazhdojë brenda partisë politike dhe të përmbyllet në nivelet më të larta të vendimmarrjes së shtetit.

Përfaqësimi i barabartë në vendimmarrje nuk është thjesht vetëm qëllim, por është mënyra e vetme e përgjigjes ndaj të gjitha nevojave të qytetarëve. Të besosh se dikush mund t’i adresojë nevojat e secilit qytetar, përderisa gjysma e popullsisë mbetet e papërfaqësuar si duhet, është vetëm iluzion.

Disa prej përparësive nga përfshirja e grave në vendimmarrje janë përkushtimi i tyre ndaj komuniteteve të ndryshme dhe nevojave të tyre, avancimi i procesit të arritjes së paqes, prosperiteti i faktorëve kryesorë të zhvillimit (shëndetësia dhe arsimi) dhe kujdesi që iu kushtohet grupeve të nënpërfaqësuara (grave të tjera dhe pakicave).[10]

Si përfundim, graat duhet të jenë pjesë e politikës, sepse nuk ka demokraci efektive pa pjesëmarrjen e tyre në të. Meqë gratë përbëjnë gjysmën e popullsisë botërore, institucionet nuk mund të jenë plotësisht legjitime po qe se nuk i përfshijnë të gjitha grupet e shoqërisë, andaj edhe supozimi se ekziston një demokraci pa pasur legjitimitet institucional paraqet vetëm një lajthitje. Vetë fjala demokraci do të thotë ‘qeverisje e njerëzve’, kështu që për njerëzit është e pamundur të qeverisin po qe se gjysma e tyre nuk përfshihet fare në qeverisje. Edhe burrat mund të jenë feministë, dhe ata shpesh avokojnë për të drejta të barabarta, mirëpo graat sjellin ligje në një mënyrë tjetër, përmes së cilës nënvizohet rëndësia e fuqizimit të graave dhe pakicave.

Gratë janë margjinalizuar për një kohë të gjatë, prandaj ato kanë prirje që në tavolina diskutimesh të ngrisin çështje që i përkasin komuniteteve të nënpërfaqësuara, t’i zgjidhin ato dhe ta çojnë barazinë përpara. Kjo e fundit është çelës i prosperitetit; si rrjedhojë, kërkohen  përpjekje më të mëdha për sigurimin e asaj që graat në politikën e Kosovës të mos flasin me zë tjetër, më inferior.

___________________

Mohimi i përgjegjësisë: Pikëpamjet dhe analizat e shprehura në këtë raport janë vetëm të autorit, dhe ato nuk reflektojnë pikëpamjet e donatorëve.

Versioni origjinal i kësaj eseje është shkruar në gjuhën angleze dhe është përkthyer në shqip dhe serbisht. Ne jemi përpjekur të sigurojmë një përkthim të saktë të esesë. Sidoqoftë, për shkak të ndryshimeve në fjalë ose fraza që përdoren, ndryshimet mund të ekzistojnë.

Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Barazia gjinore në Kosovë: Fuqizimi i Grave dhe Vajzave – Një thirrje për ndryshim” i financuar nga Fondi i Iniciativave Lokale të Kanadasë (CFLI) – një nismë e Qeverisë së Kanadasë”.


[1] https://gzk.rks-gov.net/ActDocumentDetail.aspx?ActID=10923
[2] http://www.kgscenter.net/site/assets/files/1458/3__pjesemarrja_e_grave_ne_vendimmarrje_ne_kosove.pdf
[3] https://telegrafi.com/dnv-shqetesuese-perfshirja-e-femijeve-ne-fushate-zgjedhore/
[4] http://www.cpc-ks.org/wp-content/uploads/2017/05/AdemBeha_MesStabilitetitDemokratizimit.pdf
[5]https://www.aph.gov.au/About_Parliament/Parliamentary_Departments/Parliamentary_Library/pubs/rp/rp1314ElectoralQuotas#_Toc372193110
[6] https://www.nytimes.com/2019/02/01/opinion/germany-wants-more-women-in-politics-but-quotas-are-a-bad-idea.html
[7] https://www.researchgate.net/publication/271857009_Women_Political_Decision-Making_and_Peace-Building
[8] https://womensnetwork.org/sq/grate-aktiviste-nga-kosova-dhe-serbia-diskutojne-per-perfshirjen-e-grave-ne-dialogun-kosove-serbi/
[9] https://kallxo.com/gjate/analize/per-kosoven-bisedimet-me-serbine-jane-pune-e-burrave/
[10] https://www.kcl.ac.uk/news/why-we-need-more-women-in-politics



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

Exciting news! The Parliamentary Assembly of the Council of Europe voted in favour of the draft Opinion recommending Kosovo’s membership to the CoE!
Kosovo is now one step closer to joining the @coe and gaining access to its extensive mechanisms.

Load More