Mendimi personal për Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësi

Para Marrëveshjes së Brukselit për Drejtësi ishin dy sisteme gjyqësore që vepronin në të njëjtën kohë në territorin e Kosovës, një nga sistemi i gjykatave dhe ligjeve të Serbisë dhe gjyqësorit të Kosovës. Zbatimi me vonesë i Marrëveshjes zyrtarisht filloi më 6 nëntor 2017. Kjo u pasua menjëherë nga komentet politike nga të dy palët, kryesisht duke aluduar se cila anë fitoi ose humbi nga kjo Marrëveshje. Komentimi objektiv për përparësitë dhe mangësitë e integrimit ishte i kufizuar, natyrisht.  

Vetë Marrëveshja e Drejtësisë i referohet shfuqizimit të plotë të sistemit paralel të drejtësisë dhe krijimit të një gjykate dhe prokurorie në Mitrovicë, si të dhe degëve në veri të Kosovës. Marrëveshja përcakton që gjyqtarët dhe prokurorët e integruar do të veprojnë në përputhje me kornizën legjislative të Kosovës. Në të përcaktohen parimet e ndarjes së lëndëve, si dhe struktura etnike e menaxhimit dhe të stafit gjyqësor në këtë gjykatë, në degë dhe prokurori.

Një deklarim që sugjeron se integrimi gjyqësor ka zgjidhur të gjitha problemet nuk do të ishte objektiv. Megjithatë, me kohë, gjërat kanë lëvizur në drejtim pozitiv. Para zbatimit të Marrëveshjes, qytetarët nga veriu i Kosovës nuk mund të merrnin certifikatën nga evidenca penale, e as dënimet nuk mund të ju fshiheshin pas plotësimit të të gjitha kushteve ligjore. Si rezultat, serbët e Kosovës nga veriu, në veçanti të rinjtë, nuk ishin në gjendje t’i plotësonin kërkesat e punësimit njëjtë si qytetarët nga pjesa tjetër e Kosovës. Një numër shumë i madh i lëndëve të pazgjidhura është ruajtur në ndërtesën e Gjykatës Themelore në Mitrovicë për vite. Pas integrimit, gjyqtarët dhe prokurorët filluan të punojnë në ato lëndë, duke bërë të mundur mbylljen e tyre dhe lëshimin e certifikatave nga evidenca penale për qytetarë.

Gjyqësori i integruar në Mitrovicën e Veriut është i aftë të sigurojë një mbrojtje më të madhe për viktimat e dhunës në familje, kryesisht gratë. Brenda sistemit paralel të drejtësisë ne nuk kishim mundësi të vendosnim masa me të cilat do të ishte i mundur dëbimi i dhunuesit nga banesa e viktimës. Ne nuk kishim asistencë policore; vendimet tona ishin të pazbatueshme, sikur të ishin “shkronja të vdekura në letër”. Ishte një situatë absurde ku gjykatësi duhej t’i lutej dhunuesit që të mos bënte dhunë, gjë që natyrisht nuk solli ndonjë rezultat. Në ditët e sotme gratë nga komuniteti serb marrin mbrojtje të plotë në rast nevoje.

Kujdestaria për fëmijë ishte sfida më e madhe për gjykatat serbe. Mbajtja e kontaktit me prindin që nuk po ushtronte përgjegjësi prindërore ishte një problem i madh. Gjithçka bazohej në dëshirën e prindërve, ndërsa situata vazhdonte të përkeqësohej. Aktgjykimi për kujdestarinë e fëmijës mund të ekzekutohej vetëm nëse prindi ishte i punësuar në institucionet publike të Serbisë ose nëse prindi e respektonte vullnetarisht.

Në secilin vendim të lëshuar nga gjykata civile prapë se prapë do të thuhej që prindi “është i detyruar të veprojë brenda 15 ditësh, nën kërcënimin e ekzekutimit të detyruar”, por kjo kishte kuptim çdo herë e më pak. Zakonisht, një gjykim i lejon një personi të veprojë në mënyrë të favorshme brenda një periudhe të caktuar (zakonisht 15 ditë, ndërsa në disa raste vetëm 8 ditë). Në një sistem funksional, nëse ky kusht nuk përmbushet në kohën e duhur, pala tjetër mund të kërkojë ekzekutim gjyqësor. Pas vitit 1999, për sistemin gjyqësor serb që vepronte në veri nuk kishte mundësi të vërtetë për të detyruar palën përgjegjëse që të veprojë, përveç pagesës së një kërkese monetare, madje edhe atë vetëm nëse debitori kishte një llogari me mjete të mjaftueshme në një bankë serbe. Kjo ka ndryshuar me integrimin.

Për shembull, në rastet e uzurpimit të pasurisë, uzurpuesit e pasurisë së dikujt tjetër nuk mund të fshihen më në paqartësinë e krijuar nga ekzistimi paralel i dy sistemeve gjyqësore, gjë që ata bënin me shumë sukses deri në vitin 2017. Është fakt që para integrimit autoritetet gjyqësore të Kosovës nuk mund të zbatonin aktgjykimet e tyre në veri, për sa i përket lirimit të një prone nga uzurpuesit dhe dorëzimit të saj pronarit, ndërsa autoritetet gjyqësore serbe nuk mund ta bënin këtë as në veri e as në jug. Kishte shumë arsye për këtë, duke filluar nga mosnjohja e juridiksioneve të njëri-tjetrit (kush është kompetent për të vendosur) deri te paaftësia fizike dhe objektive për ta realizuar këtë me sukses.

Kompensimi i dëmeve më në fund ka filluar mbi të gjitha bazat ligjore. Sidoqoftë, ende mbetet problematike njohja e vendimeve të marra më parë nga gjykatat dhe organet administrative serbe. Për të ushtruar të drejtat e tyre para gjyqësorit të Kosovës shtetasit serbë të Kosovës duhet të posedojnë dokumentet e Kosovës (certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes, fletët poseduese, polica të sigurimit, lejet, vendimet, etj.), gjë që kërkon kohë, durim dhe para, duke bërë që shumë të heqin dorë nga kërkimi i drejtësisë para gjykatës. Ky aspekt ndikon në zbatimin e gjykimeve që lidhen me dëmet kompensuese për një sërë mosmarrëveshjesh.  Për shembull, aktgjykimet në lidhje me dëmet kompensuese nga kontestet e punës, të tilla si ndërprerja e paligjshme e marrëdhënies së punës, të nxjerra nga gjykatat serbe, nuk mund të zbatohen nga sistemi gjyqësor i Kosovës. Në praktikë, vetëm punonjësit e organeve, organizatave dhe institucioneve të Kosovës mund të kërkojnë të drejtat e tyre të punës para gjykatave të Kosovës. Një situatë e ngjashme ekziston në lidhje me shkurorëzimin. Sistemi gjyqësor i Kosovës nuk mund të shkurorëzojë një çift të martuar nga autoritetet e Serbisë që veprojnë në Kosovë, nëse paraprakisht nuk e kanë regjistruar martesën.

Ironikisht, nuk ka pasur ndonjë ndryshim në procedurat penale pas zbatimit të Marrëveshjes së Drejtësisë. Gjykatat e Kosovës vazhduan të zhvillojnë të gjitha procedurat penale dhe kundërvajtëse, pasi që gjykatat serbe nuk ishin në gjendje të procedojnë në këto raste pas arritjes së EULEX-it. Kjo po ashtu vlen edhe për krimet dhe kundërvajtjet e kryera nga të miturit.

Më në fund, qëndron fakti që qytetarët e Kosovës gradualisht kanë filluar të kenë besim te gjyqtarët e kombësisë së kundërt.

Kjo është një përmbledhje e shkurtër e përparësive të sistemit të integruar të drejtësisë. Integrimi i gjyqësorit është një temë e ndërlikuar, me një potencial të vërtetë transformues. Për të arritur këtë qëllim, nevojitet një analizë e hollësishme të mangësive të zbatimit të saj, për të nxjerrë mësime nga vështirësitë e hasura gjatë zbatimit dhe adresimit nga autoritetet në Prishtinë dhe Beograd. Kjo në fund të fundit do të sigurojë respektimin e të drejtave të garantuara për qytetarët në Kosovë. 

Ky publikim është botuar me asistencë financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group is looking for a Finance and Admin Intern to join our team.

👉 The closing date for applications is 15 November 2024.

🖇 For more details, visit the link: https://shorturl.at/JcTEe

Load More