“Nëse s’ka marrëveshje, ka tension”, intervistë e Albanian Post me Naim Rashitin

Në qytetin e Kumanovës në Maqedoninë Veriore në vitin 1999 ishte nënshkruar Marrëveshja Ushtarako-Teknike, që kishte paraparë një plan të detajuar të tërheqjes së forcave policore, ushtarake e paramilitare serbe nga territori i Kosovës dhe hapi rrugën për sulmet ajrore të NATO-s.

Dy dekada pas, prapë një dakordancë e rëndësishme mund të arrihet mes Kosovës dhe Serbisë, kësaj radhe në Ohër, në qytetin ku në vitin 2001 një marrëveshje i dha fund konfliktit të armatosur në Maqedoni të Veriut mes shqiptarëve dhe maqedonëve.

Më 18 mars, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimit e Bashkimit Evopian do të zhvillojnë proces negociator mbi bazën e 11 pikave të atij që quhet tash zyrtarisht “Marrëveshja për rrugën e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i gatshëm që ta nënshkruajë marrëveshjen, në anën tjetër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka deklaruar se nuk i shkon në mendje që ta legjitimojë “kapitullimin e Serbisë”.

Por, nëse nuk do ketë marrëveshje, “do të ketë tensione dhe ky proces do ta gërryej edhe këtë qeveri siç ka ndodhë edhe me të kaluarat”, thotë në një intervistë për Albanian Post, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika.

“Nëse nuk ka pajtim, BE-ja do te vazhdoj përpjekjet, por pritjet janë që marrëveshja të nënshkruhet sa më parë e të implementohet deri në fund të vitit. Gjithsesi, përfitimet do të jenë të mëdha, nëse nënshkruhet, por një proces i dialogut intensiv fillon, por në një stad shumë më të lartë” mendon Rashiti.

Për Rashtin, i cili që nga paslufta e ka analizuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, vështirë të mendohet se çka ka mund të bëjë qeveria më shumë në këtë proces. Ai konsideron që ajo çka ka humb Kosova në këto vitet e fundit, prej vitit 2015 e tutje, përfshirë këtë qeveri “është se procesi i dialogut është bërë temë e brendshme konfliktuoze”.

Rashiti, kur pyetet për modelet e mundshme të “Asociacionit ideal” që mund të zbatohen në Kosovë, thekson se janë dy modele që BE-ja i ka më shumë për qejfi.

“Asociacioni ideal nëse ekziston do të ishte fryt i marrëdhënieve të mira mes Kosovës e Serbisë. Por një ASM optimal është ai që shkrova me lartë, në piken 4. Modelet qe BE-ja i ka më së shumti për qejfi janë ato të Tirolit Jugor dhe Komunitetit gjermano-folës në Belgjikë”.

Intervista e plotë e Naim Rashitit për Albanian Post:

Albanian Post: Pas 2 vjet bisedimesh të kësaj qeverie kemi më në fund një rezultat: propozimin franko-gjerman. Në vështrimin e përgjithshëm, a është një marrëveshje e mirë për Kosovën. Nëse po, pse?

Draft marrëveshja aktuale, nëse miratohet nga palët, vendos dialogun dhe marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë në një stad krejt tjetër. Ka elemente të fuqishme të cilat domosdo vendosin Kosovën në rrugën për marrjen e statusit të kandidatit, anëtarësimin në Këshill të Evropës, Interpol, partneritet për paqe me NATO-n. Kjo marrëveshje do të bëhet kriter i ri për Serbinë dhe ajo do të detyrohet ta respektoj.

Natyrisht shumë me rendësi është sekuencimi. Kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet në një samit ndërkombëtar e evropian, ku të gjitha vendet e BE-së do të jenë aty, përfshirë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar etj. Kjo marrëveshje duhet të nënshkruhet formalisht nga përfaqësuesit e këtyre dy vendeve për tu bërë marrëveshje ndërkombëtare, me karakter të ligjit ndërkombëtar.

Po ashtu, me implementimin e saj, BE-ja duhet të konkludoj arritjen e marrëveshjes ligjërisht të obligueshme dhe kështu vendet e BE-së do ta njohin Kosovën.

Nuk është marrëveshje gjithëpërfshirëse, dhe dialogu do të vazhdoj për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

Natyrisht, Kosova do të duhet të punojë shumë për materializimin dhe vjeljen e fryteve të kësaj marrëveshje. Siç ka ndodh edhe pas negociatave të Vjenës, Kosova duhet të mobilizohet dhe aktivizojë të gjithë miqtë e saj për të marrë sa më shumë njohje e sa më shumë anëtarësime në organizata ndërkombëtare.

Ka edhe paqartësi dhe elemente jo të lehta në marrëveshje, të cilat kërkojnë vazhdimin e dialogut dhe gjetjen e zgjidhjeve në shumë elemente.

Albanian Post: Por Kosova duhet të kuptoj se dialogu intensiv do të fillojë pas kësaj marrëveshje. Nëse jo, pse?. Çfarë mendoni për kapacitetin negociues të Qeverisë? A është nxjerrur më e mira e mundshme?

Propozimet ndërkombëtare janë kompromise të propozuara varësisht nga situata aktuale. Vështirë të mendohet se çka ka mund të bëjë qeveria më shumë në këtë proces, por ajo çka ka humb Kosova në këto vitet e fundit, prej vitit 2015 e tutje, përfshirë këtë qeveri është se procesi i dialogut është bërë temë e brendshme konfliktuoze. Nëse qeveria e Kosovës do ta kishte bë dialogun me dinamiken ndërkombëtare, dialogun me veriun, situata kishte qenë më e mirë, me më pak tensione.

Albanian Post: Sa për qind plani franko gjerman është produkt i negociatave mes Kosovës dhe Serbisë dhe sa për qind është detyrim i imponuar nga ndërmjetësuesi?  

Propozimi është bërë në zyrë në Berlin dhe si i tillë është nxjerrë nga konsultat me ndërmjetësuesit duke marrë parasysh qëndrimet e palëve. Por, megjithatë ky propozim është i bazuar në një model të suksesshëm siç ishte ai Traktati bazë i vitit 1972 në mes të dy Gjermanive.

Natyrisht gjuha është me e modernizuar, sepse edhe politika ndërkombëtare është më e modernizuar. Tani përdoret palët për çdo negociatë ndërkombëtare, përdoret shprehje e vullnetit të mirë, dhe natyra e organizatave ndërkombëtare ka ndryshuar.

Albanian Post: Duket se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është i pashmangshëm tashmë. Është kërkesa pothuajse numër 1 e ndërkombëtarëve për Kosovën? Nga informatat tuaja, si do të duket ky Asociacion? Si do të gjendet zgjidhja që është e pranueshme për Kushtetutën e Kosovës?

Asociacioni ka qene gjithmonë i pashmangshëm. Asociacioni do të implementohet në një formë me marrëveshje apo pa marrëveshje. Nuk e rregullon çështjen e veriut pa temën e Asociacionit. Por, e mira është se Asociacioni do të jetë pjesë e kësaj marrëveshje. Asociacioni do të jetë një trup i organizuar në kuadër të bashkëpunimit komunal me kompetenca apo rol për të planifikuar dhe mbështetur komunat në fushën e kompetencave të komunave. Pra, shtrirje horizontale e koordinimit të kompetencave komunale, me të drejtat e veçanta, në arsim, shëndetësi, dhe bashkëpunimin ndër komunal, sidomos mes komunave në veri të Kosovës. ASM nuk do të ketë kurrë kompetenca në polici, gjyqësor, kufi, siguri apo bërje të legjislacionit…. Si i tillë nuk do të cenoj funksionalitetin e Kosovës. Më shumë dëm shpesh i bëhet funksionaliteti nga mungesa e dialogut me serbët se kompetencat e tyre.

Albanian Post: Cilat janë modelet evropiane që besoni se do të replikohen, apo të paktën të merren si shembull për ta gjetur “Asociacionin ideal”?

Asociacioni ideal nëse ekziston do të ishte fryt i marrëdhënieve të mira mes Kosovës e Serbisë. Por një ASM optimal është ai që shkrova me lartë, në piken 4. Modelet qe BE-ja i ka më së shumti për qejfi janë ato të Tirolit Jugor dhe Komunitetit gjermano-folës në Belgjikë.

Çdo model që merret do të adaptohet në sistemin juridik dhe funksional të Kosovës dhe nuk mund të ketë copy-paste. Me pastaj do të shihet se si do të mund qeveria e Kosovës të krijojë një shkallë reciprociteti me Luginën. Pas marrëveshjes, duke krijuar balance më të madhe mes palëve në rrafshin ndërkombëtarë (të ligjit ndërkombëtar), Kosova duhet të kërkojë të dizajnojë disa të drejta, kryesisht elemente që mundësojnë përfshirjen e institucioneve të Kosovës në mbështetje të lirë të institucioneve dhe organeve të shqiptarëve të Luginës. Kjo do të shtynte përpara normalizimin dhe rregullimin e marrëdhënieve bilaterale.

Albanian Post: Çfarë rroli ka opozita në këtë proces dhe a po e luan këtë rol?. Përfundimisht, besoni se do të ketë marrëveshje me 18 mars? Po nëse nuk arrihet, çfarë pastaj?

Ne Ohër, nuk besoj se do të ketë marrëveshje me nënshkrime. Përpjekjet janë që palët të pajtohen për aneksin. Dhe nëse po, atëherë besoj do të planifikohet një konferencë në kryeqytete evropiane. Edhe nëse palët pajtohen, marrëveshja nuk duhet të nënshkruhet në Ohër. Ajo duhet të nënshkruhet në një samit apo konferencë evropiane të nivelit të lartë, jo vetëm me prezencën e zotit Borell.

Opozita besoj ka qenë shume konstruktive dhe duke e njohur mirë procesin, e din saktë çka të mbështes dhe çka jo. Por, debati i vërtetë politik mes qeverisë e opozitës vetëm sa ka filluar dhe to të ndodh vetëm pas marrëveshjes për të diskutuar dhe marrë vesh se si do të procedohet ajo marrëveshje nëse nënshkruhet në javët në vijim.

Besoj se komunikimi mes liderëve dhe strukturave politike është kyç në këtë fazë.

Nëse nuk ka pajtim, BE-ja do te vazhdoj përpjekjet, por pritjet janë që marrëveshja të nënshkruhet sa më parë e të implementohet deri në fund të vitit. Gjithsesi, përfitimet do të jenë të mëdha, nëse nënshkruhet, por një proces i dialogut intensiv fillon, por në një stad shumë më të lartë.

Nëse nuk ka marrëveshje do të ketë tensione dhe ky proces do ta gërryej edhe këtë qeveri siç ka ndodhë edhe me të kaluarat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit. /Albanianpost.com


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

📣 Balkans Group is looking for a Finance and Admin Intern to join our team.

👉 The closing date for applications is 15 November 2024.

🖇 For more details, visit the link: https://shorturl.at/JcTEe

Load More