Puna e policisë në veri të Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit

Kanë kaluar gjashtë vjet nga zbatimi i marrëveshjes për integrimin e strukturave të policisë serbe nga veriu i Kosovës në Policinë e Kosovës (19 prill 2013). Para kësaj marrëveshje, që buron nga Dialogu i Brukselit, institucionet serbe, kosovare dhe ndërkombëtare në veri të Kosovës nuk kishin kufij të qartë të kompetencave të tyre dhe shpesh dyfishoheshin njëra me tjetrën, siç thuhet në raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave nga viti 2011:

“Komuniteti shumicë serb dhe komuniteti pakicë shqiptar atje jetojnë në struktura të ndara shoqërore, politike dhe të sigurisë. Megjithatë, aty ku bashkëpunimi është i pashmangshëm ata kanë krijuar mënyra për të kapërcyer kufizimet e sistemeve të tilla paralele. Por, në disa fusha, e veçanërisht në fushën e së drejtës penale, nuk ka bashkëpunim dhe e vetmja pengesë për krimin është presioni i komunitetit”. 

Marrëveshja për integrimin e policisë është një përpjekje për t’u përgjigjur në disa prej këtyre çështjeve të pazgjidhura. Situata tani është dukshëm më ndryshe krahasuar me periudhën para nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikonte, ndër të tjera, integrimin e pjesëtarëve të policisë serbe nga veriu i Kosovës në Policinë e Kosovës. Përkundër mangësive të marrëveshjes, siç thuhet në raportin e Qendrës për politikë të sigurisë në Beograd dhe Qendrës kosovare për studime të sigurisë nga viti 2014, me gjithë situatën e pasigurt të sigurisë në kontekst të marrëveshjes, palët e interesuara kanë pritshmëri pozitive.

Qytetarët e Mitrovicës së Veriut thonë se policia më në fund ka filluar të merret me kundërvajtje dhe vepra penale, krahasuar me periudhën e mëparshme kur ata ishin të interesuar vetëm për kundërvajtje në qarkullim rrugor. Kështu i kishte thënë një qytetar nga veriu i Kosovës autorit kur fliste në një fokus grup në shkurt të vitit 2019: “Integrimi ka kontribuar në rritjen e besimit dhe gatishmërisë së komunitetit serb për të bashkëpunuar me Policinë e Kosovës“.

Përkundër rezultateve të pabarabarta kur bëhet fjalë për hetimin e veprave penale, kjo megjithatë paraqet një trend pozitiv. Raporti i fundit i Qendrës kosovare për studime të sigurisë thotë se tre të katërtat e serbëve në veri mendojnë se Policia e Kosovës është e korruptuar, që paraqet një ndryshim të rëndësishëm krahasuar me perceptimin e Policinë së Kosovës në pjesët tjera të Kosovës. Megjithatë, veprimet e fundit të Policisë së Kosovës kishin për synim të hetonin lidhjen midis krimit të organizuar dhe policisë, gjë që rezultoi me arrestimin e disa pjesëtarëve të policisë në veri. Por, nevojiten përpjekje shtesë për të rritur besimin e komunitetit lokal dhe për të avancuar integritetin e policisë.

Policia si përfaqësues i komunitetit lokal

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, pas integrimit serbët përbëjnë më shumë se 12% të të punësuarve, që është përqindja më e lartë krahasuar me të gjitha institucionet e Kosovës. Sipas Planit për zbatimin e marrëveshjes (ang: Agreement Implementation Plan), një listë me 337 emrat e atyre që ishin të gatshëm për t’u integruar i është përcjellë Policisë së Kosovës; 289 polic serbë kanë nënshkruar kontrata me Policinë e Kosovës dhe kanë vijuar kursin njëjavor në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike; ata më vonë u caktuan në katër stacione policore në veri të Kosovës.

Fillimisht, komuniteti reagoi me shqetësim ndaj uniformave të shënjuara me flamurin e Kosovës, megjithatë, në fund kuptuam se nuk mund të gjykonim dikë vetëm sepse ai kishte vendosur t’i bashkohej Policisë së Kosovës“, thotë një serb nga Mitrovica e Veriut.

Patrullat e policisë në veri të Kosovës sot përbëhen kryesisht nga policë të nacionalitet serb, ndërsa në zonat e banuara me pakica (Lagja e Boshnjakëve/Bošnjačka Mahala, Tre Rrokaqiejt, Suvi Do) patrullimet janë të përziera. Policët shqiptarë që punojnë në këto vendbanime flasin serbisht.

Në përputhje me rritjen e të punësuarve pas integrimit, si dhe me qellim të rritjes së kapaciteteve për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë, stacionet policore në të katër komunat në veri janë ristrukturuar. Stacionet në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq sot drejtohen nga majorët e policisë, ndërsa në Zveçan dhe Zubin Potok komandohen nga kapitenët. Në përputhje me përbërjen etnike lokale, komandanti rajonal i policisë për veriun e Kosovës është serb i Kosovës, ndërsa zëvendësi i tij është shqiptar.

Gjuha ende mbetet pengesë. Në punën e përditshme, diskutimet për çështje urgjente zhvillohen në gjuhën shqipe, ndërsa korrespodenca ditore dhe administrative zhvillohet në të dyja gjuhët. Nuk ka kurse të organizuara të gjuhës. Kjo është arsyeja pse serbët zakonisht punojnë në zona ku flitet gjuha serbe në stacione më të vogla të policisë, ku ata nuk mund të fitojnë përvojën e duhur. Sidoqoftë, ka hapësirë për përmirësim, pasi interesimi i serbëve të Kosovës për t’iu bashkuar Policisë së Kosovës që nga viti 2014 është goxha i qëndrueshëm dhe ata janë mjaft të suksesshëm në këtë: sipas ë dhënave të Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në gjeneratën e fundit të vitit 2018, gjashtë serbë ishin mes dhjetë kandidatëve më të mirë. Perspektivat e tyre për karrierë të suksesshme do të mund të rriteshin nëse do t’iu ofrohej mundësia të kontribuojnë në zgjidhjen e detyrave komplekse policore, gjë që gjithashtu do të mundësonte përfaqësim më të mirë të tyre në krye të policisë.

Ky publikim është botuar me asistencë financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

🇽🇰 #Kosovo made a significant step toward joining the Council of Europe (CoE). It is now up to the CoE to acknowledge Kosovo's readiness for membership.
For more insight on Kosovo's CoE accession process, see Balkans Group policy report. ⤵️

Load More