Raporti i ri i politikave të Grupit për Ballkan Regjimi i vizave për Kosovën: A do t’i japë BE fund kësaj agonie të gjatë? ofron analiza dhe informacione të hollësishme për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe argumenton se vonesat e BE-së në miratim janë krejtësisht të paarsyeshme.
Në dekadën e fundit, Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në përmbushjen e një liste të gjatë të kërkesave në lidhje me migrimin, sigurinë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Dhjetë vjet pas fillimit të dialogut për viza dhe katër vjet nga zbatimi i standardeve, Kosova është ende në pritje të një regjimi pa viza me BE-në. Javët në vijim janë vendimtare. Ka zhvillime pozitive në BE, të cilat sinjalizojnë fundin e procesit të vonuar të liberalizimit të vizave për Kosovën. Me një vendim pozitiv në mbledhjen e grupit punues të Këshillit Evropian më 13 tetor 2022, liberalizimi i vizave për Kosovën do të hynte në proces të miratimit formal, i cili mund të zgjasë disa muaj (siç paraqitet në grafikun në raport)
Regjimi i vizave i ka kushtuar shumë qytetarëve dhe ekonomisë së Kosovës. Nga viti 2016 deri në vitin 2021, ambasadat e vendeve të Shengenit kanë pranuar 539,344 kërkesa. Me një kosto mesatare prej 165 EUR për kërkesë, kosovarët kanë paguar rreth 89 milionë euro për viza turistike në vendet e BE-së. Një shumë jashtëzakonisht e lartë për një vend me BPV vjetor prej 4.986 dollarë për kokë banori dhe pagë mesatare prej 484 €. BE-ja dhe shtetet anëtare janë donatorët më të mëdhenj të Kosovës. Vlen të theksohet se Kosova do të përfitojë 63,96 milionë euro nga IPA III (2021-2027)
Regjimi i vizave e ka bërë të pamundur që kompanitë kosovare të kenë qasje të barabartë në tregjet e BE-së në krahasim me fqinjët. Për më tepër, mungesa e lëvizjes së lirë ka kufizuar përfitimet e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në (2015). Nuk ka lëvizje të lirë të mallrave dhe shërbimeve (siç parashihet në MSA) pa lëvizjen e lirë të njerëzve. Rrjedhimisht, kompanitë kosovare kanë qenë gjithmonë në disavantazh dhe me më pak mundësi. Siç është analizuar nga Grupi për Ballkan, regjimi i vizave ka ndikuar negativisht në të hyrat e kompanive kosovare nga 15% deri në 50%.
Prandaj, të dhënat dhe argumentet e paraqitura në raport duhet të bindin edhe më shumë BE-në dhe shtetet anëtare që të miratojnë liberalizimin e vizave për Kosovën.