Tryezë Diskutimi: Perspektiva mbi Marrëveshjet e Dialogut Teknik midis Kosovës dhe Serbisë

21 shkurt 2020 – Grupi për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi (KSPAG) organizoi në Prishtinë tryezën e diskutimit “Perspektivat mbi marrëveshjet e dialogut teknik midis Kosovës dhe Serbisë”. Tryeza lansoi publikimin e  një broshure që përmban artikuj të shkruar nga qytetarë dhe profesionistë nga Kosova dhe Serbia të cilët sjellin pikëpamjet dhe përvojat e tyre personale mbi rezultatet pozitive të marrëveshjeve të dialogut teknik mes Kosovës dhe Serbisë.

Paneli i tryezës ishte i përbërë nga autorë të artikujve të botuar, aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të cilët diskutuan ndikimin e marrëveshjeve nga dialogu teknik në jetërat e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi.

Në fjalën e tij hyrëse, z. Naim Rashiti, Drejtori Ekzekutiv i Grupit për Hulumtimin e Politikave në Ballkan (BPRG), ofroi një përmbledhje të projektit të implementuar nga KSPAG-u dhe foli për sfidat që konsorciumi kishte në angazhimin e autorëve të gatshëm të shkruanin mbi dialogun teknik, për shkak të diskursit politik dhe atmosferës së përgjithshme rreth dialogut. “Por fatmirësisht kemi arritur të bashkëpunojmë me 17 autorë nga Kosova dhe Serbia të cilëve u jemi shumë mirënjohës që paraqitën përvojat dhe njohuritë e tyre mbi marrëveshjet dhe  treguan përfitimet specifike që qytetarët kanë prej tyre” përfundoi z. Rashiti.

Zonja Florentina Hajdari – Hajra, autore e një artikulli për KSPAG dhe aktiviste e shoqërisë civile, argumentoi se marrëveshjet e arritura gjatë dialogut teknik me të vërtetë kanë sjellë përfitime për qytetarët, pavarësisht shumë sfidave të procesit dhe mungesës së transparencës. Ajo sqaroi se shkrimi i artikullit  ishte një mundësi për të ofruar pikëpamjen dhe përfitimet personale nga dialogu, si qytetare e Mitrovicës Jugore.

Nga ana tjetër, Z. Gazmir Raci, ish-anëtar i ekipit negociator të Kosovës, theksoi se një nga marrëveshjet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të dialogut teknik është marrëveshja për telekomunikacionin. Z. Raci emëroi edhe një numër marrëveshjesh tjera që kanë qenë me rëndësi për të dy palët, veçanërisht marrëveshjen e IBM-it.

Z. Naim Leo Besiri, nga Instituti për Çështje Evropiane, theksoi se “në Serbi marrëdhëniet Kosovë-Serbi shihen si çështje sigurie. Që nga viti 2012 kjo ishte një fushë jashtëzakonisht sfiduese për t’u futur dhe do të të vinte në situatë të vështirë nëse jo armiqësore, nëse do të flisje për të”. Ai konkludoi se ndikimi pozitiv i dialogut ishte në adresimin e boshllëkut ligjor që ekzistonte për më shumë se 20 vjet.

Z. Željko Tvrdišić, gazetar në Mitrovicën e Veriut, deklaroi se qëllimi kryesor i dialogut teknik është përmirësimi i jetës së qytetarëve, dhe sipas tij marrëveshjet e dialogut teknik kanë arritur këtë qëllim. Ai veçoi dy marrëveshje nga dialogu si me ndikimin më të madh në jetën e qytetarëve – atë të lirisë së lëvizjes dhe integrimit të gjyqësorit në veri të Kosovës. “Megjithëse marrëveshjet e arritura mund të interpretohen ndryshe, si qytetar i një komune me shumicë nga komunitetit serb, unë shoh shumë ndikime pozitive dhe pres që këto të bëhen edhe më të mëdha” përfundon Z. Tvrdišić.

Z. Shpetim Gashi, nga Këshilli për Qeverisje Gjithëpërfshirëse, tregoi se “Dialogu i Brukselit ka filluar një periudhë tranzicioni në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Është dialogu i parë ku këto dy palë kanë arritur në marrëveshje të ndryshme si integrimi i veriut të Kosovës, IBM, integrimi i policisë, liria e lëvizjes. Të gjitha këto marrëveshje kanë qenë me rëndësi të madhe për të dy palët.”

Përveç panelistëve, pjesëmarrësit kanë dhënë kontributin e tyre në diskutimin mbi përfitimet nga dialogu teknik dhe shprehën shqetësimet e tyre për mungesën e transparencës së këtij procesit.

Ky aktivitet u organizua me mbështetjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij aktiviteti është përgjegjësi e vetme e Grupit për Politika dhe Avokim Kosovë-Serbi dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqesë pikëpamjet e Bashkimit Evropian.



Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7,
Prishtina
10000, Kosovo


Opening Hours:

Mon – Fri: 09:00  – 17:00

 

Connect with us:

The Berlin Process: Ahead of the summit, the @BalkansGroup, in cooperation with the @sudosteuropa and @AspenGermany, hosted an advocacy roundtable with SHERPAs, representatives of the WB governments, and civil society. 🇩🇪 and 🇳🇴 Envoys for WB contributed to the event.

Load More