Dialogu – i ndarë apo në linjë me prioritete tjera të Kosovës?!

Florentina Hajdari Hajra

14 shkurti i ka sjellë Kosovës ndryshimin më të madh në skenën politike që nga paslufta, dhe padyshim që reflektim i këtij ndryshimi është edhe qasja që Kosova do të ketë në raport me shtetet fqinje, veçanërisht Serbinë. Pushteti pothuajse absolut i një partie relativisht të re politike; e cila përgjatë 15 viteve ka proklamuar ide jo shumë liberale të politikave të jashtme, dhe sidomos ndaj platformës së dialogut që Kosova ka ndjekur, detyrimisht do të ndikoj në tërë konturën që vendi jonë do të filloj të ndërtoj në (mos) prioritizimin e politikës së jashtme dhe asaj integruese euro atlantike.

Qeveria e re nuk e konsideron si prioritet çështjen e dialogut.

Në politikën tonë të brendshme, ky qëndrim mund të arsyetohet lehtë për faktin se që të gjitha qeveritë paraprake sikur i kanë spostuar  reformat e nevojshme politike dhe ekonomike në emër të prioritizimit të dialogut. Sidoqoftë në politikën tonë të jashtme, efekti është krejt i kundërt. Një qasje e tillë në fakt, do të stagnoj proceset integruese; edhe ashtu me avancim krejtësisht të vogël, mund të nxisë një ofensivë të re diplomatike të Serbisë kundër Republikës së Kosovës si dhe mund të lëndoj raportet tona strategjike me disa nga aleatët tanë.

Le të themi se në këtë situatë, Kosova gjendet në udhëkryqin në mes të tri dilemave: fare dialog, dialog teknik apo dialog politik?

Të parën (jo dialog) duhet përjashtuar si mundësi, për disa arsye. Që të dy vendet kanë nevojë të jashtëzakonshme për të shënuar progresin e nevojshëm në proceset integruese, meqenëse rruga e dy vendeve për në Bashkimin Evropian kërkon një pajtueshmëri afatgjatë në mes të dy palëve. Kërkesa për dialog ndërmjet Kosovës dhe Serbisë  shtrohet në të gjitha adresimet e përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së, prandaj përveç që do të jetë e vështirë të bëhet rezistencë ndaj kësaj kërkese, paqja e qëndrueshme; shumë shpesh e proklamuar dhe shumë e nevojshme për një raport të mirë ndër-fqinjësor, dhe avancimi politik në rrafshin e brendshëm dhe atë të jashtëm, nuk arrihet kur ka përjashtim dialogu.

Opsioni i dytë (dialogun teknik), megjithëse kishte rezultatet e veta në një fazë, konsiderohet si një proces që nuk garanton marrëveshje finale dhe i cili mund të zgjasë përtej durimit të tyre. Aq më shumë, mos zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani e diskrediton secilën përpjekje për një raund të ri të bisedimeve teknike.

Opsioni i tretë, (dialogu politik) mund të konsiderohet si i pashmangshëm dhe shumë i nevojshëm. Por, që ky proces të ketë sukses, kërkohet një pajtueshmëri paraprake dhe një dakordim fillestar mbi epilogun që synohet të arrihet. E ky synim, tashmë është i qartë për palën kosovare, pra njohje reciproke, përderisa na mbetet pak e paqartë ajo që synon të arrijë Serbia. Dialogu politik, i cili mund të konsiderohet edhe si fazë finale, duhet të ndërtohet mbi atë që palët, veçanërisht Kosova, e përjashton si opsion e jo mbi atë që ofrohet për dialog. Nga e kaluara e afërt, ka arsye të shumta të ngritën dyshime se në kuadër të dialogut final mund të paraqiten edhe opsione për ri-përcaktim të organizimit territorial. Prandaj, platforma e re e dialogut e palës Kosovare duhet të ndërtohet pikërisht mbi parimin e përjashtimit të temave të këtilla, duke lënë të kuptohet se marrëveshja finale ka vetëm një qëllim, pra njohjen reciproke të të dy shteteve, si garant i paqes së qëndrueshme, stabilitetit në Ballkan dhe mundësisë së re për integrim.

Por, a mund të filloj dialogu final me Serbinë nga Qeveria e re, pa filluar një dialog të brendshëm unifikues?!

Dialogu i brendshëm politik, i cili nënkupton një konsensus politik por dhe shoqëror lidhur me kornizën që duhet ta ketë dialogu me Serbinë, është alfa dhe omega e suksesit të Kosovës në këtë proces. Ky dialog është shumë e vështirë të ndodhë, e kjo sidomos për faktin se Qeveria e re nuk e konsideron prioritet çështjen e dialogut dhe as në linjë me prioritetet tjera si drejtësia dhe punësimi, duke kundërshtuar kështu thirrjen e BE-së se kur bëhet fjalë për prioritetet e Qeverisë: “nuk ka konkurrencë në mes prioriteteve individuale”. Prioritetet e brendshme janë shumë të rëndësishme, megjithatë dialogu mbetet prioriteti më i rëndësishëm i politikës së jashtme të Kosovës dhe si i tillë,  nuk duhet të shihet si i ndarë nga prioritetet e tjera. Në këtë fazë, dialogu i brendshëm, i cili synon unitet politik në mbështetje të fazës finale të dialogut, nuk ka marrë ende hapat e parë dhe nuk shihet në horizont në një moment skajshmërish të polarizuar politik.

Ky artikull fillimisht është shkruar në Gjuhën Shqipe.

Ky shkrim financohet nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë në Prishtinë. Opinionet e shprehura pasqyrojnë pikëpamjet e autorit/es dhe nuk reflektojnë në pikëpamjet e Grupit për Ballkan dhe të donatorit.


 

Qamil Hoxha street ob. no. 29
appartment no. 7, Prishtina
10000, Kosovo

 

Opening Hours:

Mon – Fri: 08:30  – 16:30

 

Connect with us:

🎉Celebrating the 10th anniversary of impactful work, the Balkans Group has been at the forefront of addressing Kosovo's and the region’s most pressing challenges.

Through supporting peace, fostering dialogue between Kosovo and Serbia, strengthening institutions, advancing…

4

Load More